Një eksponent i lartë i ushtrisë izraelite u pezullua nga detyra në një afat të pacaktuar pasi goditi me armën e tij në fytyrë një aktivist të paarmatosur pro-palestinez.
E gjithë ngjarja është dokumentuar nga kamerat amatore të aktivistëve. Në pamjet që qarkullojnë në internet, shihet qartë Lejtnant/koloneli Shalom Eisner teksa godet në fytyrë me trupin e armës së tij shtetas danez, aktivist pro-palestinez.
Pas këtij episodi nisën përleshjet sporadike mes forcave ushtarake izraelite dhe aktivistëve, por situata vendoset shpejt nën kontroll nga ushtria dhe gjithçka përfundon me arrestimin e disa aktivistëve e shoqërimin e tyre për në dhomat e paraburgimit.
Pas publikimit të videos, shefi i shtabit i ushtrisë izraelite (IDF) Lejtnant/gjeneral Benny Gantz mori vendimin për pezullimin nga detyra për kolonelin që kreu aktin.
“Incidenti në fjalë nuk përfaqëson parimet e ushtrisë izraelite dhe për këtë do të hetohet thellësisht deri në zbardhjen e plotë të tij. Do verifikohet edhe nëse ka patur provokim të dhunshëm nga aktivistët”, deklaroi për mediat gjenerali Gantz.
Top Channel