Pse po rinis kriza politike?

15/04/2012 00:00

Andrea Stefani – Kishim parathënë se kriza politike do shpërthente. Ndërkaq,
ndërkombëtarët kishin deklaruar shpresën se bashkëpunimi për reformat do
vazhdonte.

Ndërkombëtarët gabuan ndërsa ne jo. Pse ndodhi kështu? Sepse ne e bazuam analizën në faktorë realë politikë, ndërsa shpresa për bashkëpunim si vektor i politikës, ishte e ndërtuar mbi faktorëiluzorë. Ndër të cilët, më kryesori është besimi naiv se autokrati Berisha ka aspirata të sinqerta për demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Tani jemi përsëri në fillimin e krizës politike. Vetë ambasadori amerikan, Arvizu, pohoi probabilitetin e lartë që të ndodhë kështu. Por ndërkaq, ai përsëriti gabimin e zakonshëm “diplomatik” për të bërë njësoj përgjegjëse për krizën si pozitën ashtu dhe opozitën. Në thelb, Arvizu tha se shkaku i krizës politike është ekzistenca e një “boshllëku të madh besimi mes palëve”. Biem dakord që është kështu. Por të mjaftohesh me kaq është më keq se të thuash asgjë. Sepse nuk u jep palëve atë që u takon. Dhe shpërndarja e barabartë e një përgjegjësie të pabarabartë, është padrejtësi. Përveç kësaj, nuk ndihmon në ekzaminimin e shkaqeve të krizës dhe kurimin e saj. Pra, deklaratat politike duhet të ndihmojnë të gjendet shkaku i ekzistencës së “mungesës së besimit” mes palëve dhe jo vetëm të konstatohet kjo mungesë. Veçanërisht ato të ndërkombëtarëve që janë, duan apo s’duan, në rolin e arbitrit që vëzhgon respektimin e rregullave të lojës. Është për të ardhur keq, por jo pak ndërkombëtarë, janë shndërruar në arbitra që në një moment të caktuar, i fryjnë bilbilit duke dhënë faull për të dy palët. Pra i japin faull edhe atij që vë stërkëmbësin, edhe atij që rrëzohet. Prandaj, palët vazhdojnë të grinden se kush e shkaktoi faullën edhe pasi arbitri i ka rënë bilbilit. Në fakt, është njësoj si të jesh pa arbitër. Në fakt, është ky i fundit që po bën faull duke mos kryer misionin e tij.

* * *

Ka opinione që shprehen se ndërkombëtarët nuk kanë asnjë përgjegjësi dhe se fajin e kemi vetë ne shqiptarët. Pa asnjë diskutim që faji kryesor është i shqiptarëve. Por shqiptarët, në këtë stad të pjekurisë të sistemit të tyre politik, nuk e ndajnë dot shapin nga sheqeri, fajtorin nga jo fajtori, pa ndihmën e ndërkombëtarëve d.m.th, pa arbitrimin e tyre të ndershëm. Pse? Jo për ndonjë paaftësi biologjike, por për shkak të dështimit të atyre që duhet të jenë arbitrit autoktonë, institucionet e pavarura të sistemit. Sepse ato që ndërtojmë besimin mes palëve politike janë institucionet e së drejtës. Nëse ato nuk e bëjnë dot një gjë të tillë, ndërtimi i besimit mbetet një utopi dhe fjalë boshe, një naivitet që i mbështet shpresat se do të vijë një moment që liderët do ndriçohen duke mos qenë më ata që janë! Në analizën tonë, mungesa e besimit është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e mungesës së arbitrit, që janë institucionet e pavarura. Ato ekzistojnë në letër, në Kushtetutë, si godina dhe si zyrtarë, por nuk kanë një ekzistencë reale, një shpirt të tyrin. Këtë boshllëk, deri në funksionimin e vërtetë të tyre, duhet ta mbushin ndërkombëtarët.

* * *

Nuk janë liderët apo politikanët, por institucionet që përgatisin të ardhmen e begatë me liri e të drejta të një vendi. Dhe liderët kanë meritë në formësimin e një ardhmërie të tillë të ndritur për Atdheun, vetëm kur investohen në krijimin e institucioneve të tilla që veprojnë pavarësisht vullnetit politik të vetë liderëve. Pas mbi 20 vjet dështimi në krijimin në Shqipëri të një shteti me institucione të tilla, ka ardhur koha të pranohet se vështirësia e ndërtimit të institucioneve të pavarura nuk është mungesa e dijes. Ka fakte që provojnë se që në nisje të tranzicionit, ka pasur forca politike dhe liderë që kanë penguar ndërtimin e institucioneve të lira. Pa hequr përgjegjësinë nga të tjerët, janë të pafundme krizat dhe konfliktet që provojnë se një ndër kundërshtuesit e ndërtimit të institucioneve të pavarura, është politikani Sali Berisha dhe klani politik rreth tij. Jo pak deklarata të hershme të vetë ndërkombëtarëve e provojnë një gjë të tillë. Nuk është rastësi që Berisha ka qenë dhe mbetet aktor prezent në të gjitha krizat dhe konfliktet politike në Shqipëri në këto 20 e kusur vjet. Kjo prezencë e permanente dëshmon se ai nuk është thjesht aktor, por gjenerues konfliktesh. Të injorosh këtë fakt duke barazuar kryepërgjegjësinë e këtij autokrati të afishuar, do të thotë të mos luftosh rrënjët e së keqes në Shqipëri. Mosndarja e saktë e përgjegjësisë mes palëve politike, edhe në ligjërimin e ndërkombëtarëve, ka inkurajuar Berishën të vazhdojë i pandalur në aksionin autokratik për kapjen e shtetit duke larë duart deri edhe për krime si vrasja e protestuesve, me “bashkëfajësinë” e opozitës. Tri ditë më parë, Berisha arriti një tjetër fitore në këtë marshim antiliri. Me procedura tiranike votimi në Parlament, arriti të imponojnë kandidaturën e një delfini të tij për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Tashmë ky institucion i rëndësishëm për pavarësinë e gjykatave, që vetë Berisha pëlqen ta quajë “qeveri e gjyqësorit”, dominohet nga një shumicë berishiste. Dhe kjo ndodh në një moment kur pavarësimi i gjyqësorit është rreshtuar si një nga kushtet themelore për miratimin e kandidaturës së Shqipërisë për në Bashkimin Europian (BE). Pikërisht në momentin kur nga BE kërkohet të kryhet një reformë që Parlamenti të mos jetë një vegël e ekzekutivit, Berisha dhe folësja e Kuvendit Topalli, orkestrojnë ca procedura votimi të përçudnuara të krahasueshme me ato që përdorën dikur nazistët për të rrëzuar qeverinë e Franzfon Papenit. Shikojmë se marshimi autokratik po vazhdon me sukses nën fanfarën propagandistike të nevojës për “reforma demokratike” dhe integrimit europian. Për të ndalur këtë marshim të autokratizmit opozita ka disa opsione. Njëri është t’u drejtohet “arbitrit”, institucioneve të “pavarura”. Në këtë rast, Gjykatës Kushtetuese. Por thuajse dihet përgjigjja e zvarritur që mund të vijë nga kjo gjykatë jo më aq e pavarur. Një opsion tjetër është që opozita të durojë shtypjen deri në zgjedhjet e ardhshme. Por shpresat zbehen kur tashmë përvoja e vitit 2009 dhe ajo e 2011, treguan qartë se institucionet e “pavarura” dhe qeveria, u bashkuan në një aleancë të pathyeshme manipulimi të zgjedhjeve. Mungesa e institucioneve të së drejtës bën që të bjerë edhe besimi se vota, demokracia, mund të bëjnë punë për të larguar më në fund autokratin e vetëm të kohës së murit të Berlinit në Ballkan. Dhe nëse opozita do t’i kundërvihej kësaj tiranie të pandalshme të shumicës, që prej vitesh maskohet me “ligj”, “rregullore” dhe vendime institucionesh “të pavarura”, duke bojkotuar një Parlament qartazi tiranik, ajo do akuzohej, jo vetëm nga berishistët, por edhe nga ca ndërkombëtarë, se po del jashtë institucioneve duke penguar “reformat e integrimit”. Në të vërtetë ca reforma që kështu siç po kryhen, mund ta çojnë Shqipërinë drejt një demokracie autokratike të tipit të Erdoganit dhe jo drejt Europës. Në sajë të kësaj statuskuo-je autokrati Berisha po arrin, muaj pas muaji, ta rrjepë patën e demokracisë pa e lejuar të nxjerrë zë. Sepse zëri i një demokracie të dhunuar është ai i opozitës. Fatkeqësia është se, s’dihet ende qartë se për ç’shkak (them “shkak” se nuk mund të ketë arsye për një qëndrim të tillë), ndërkombëtarët shfaqen qartazi në ruajtje të kësaj statuskuo-je ku demokracia po jep shpirt e shtrënguar në morsën dhunës qeveritare nga njëra anë, dhe vendimeve të institucioneve të “pavarura” që marrin urdhra nga qeveria për të përligjur këtë dhunë, në anën tjetër. Por, sikundër është dëshmuar në të kaluarën, zinxhiri i dhunës dhe përdhunimeve, mund të bëjë që opozita ta humbasë durimin. Kështu kriza e re, e vjetër sa tranzicioni, na çon fatalist ose në nënshtrimin e opozitës dhe konsolidimin e një regjimi autokratik në Shqipëri, ose drejt një konfrontimi të ri politik me pasoja vështirë të llogaritshme.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA