Pashkët në Jeruzalem

15/04/2012 12:30

Mijëra të krishterë ndezën qirinj e pishtarë nga zjarri i marrë në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, pjesë e një rituali të lashtë që kremton ringjalljen e Krishtit.

Re të lehta tymi ngriheshin nga hyrja e kishës ku pelegrinë me kryqe e qirinj, një numër rekord këtë herë, kalonin flakën nga njëri tek tjetri. Në anë të turmës së ngazëllyer ishin rreshtuar policë izraelitë, forca speciale e roje sigurie. Gratë palestineze thërrisnin në momentin e daljes së zjarrit, djem të rinj i binin tambureve dhe ai grusht pelegrinësh të paduruar që nisën një përleshje, u vunë shpejt nën fre nga policët izraelitë.

Mes tyre kishte klerikë me veshje shumëngjyrëshe, të cilët përpiqeshin t’i afroheshin dhomës së zbukuruar në kishën-guvë, ku besohet se u vendos të prehej trupi i Krishtit pas uljes nga kryqi. Me të ndezur pishtarët apo qirinjtë, pelegrinë e klerikë nxitojnë të dalin nga Kisha e Vjetër, e t’ua kalojnë flakën të tjerëve që presin jashtë. Gjatë ceremonisë së përvitshme, priftërinjtë hyjnë në Edicule, dhoma e vogël brenda kishës nga ku dalin më pas me zjarrin e shenjtë, i cili ndizet, siç thuhet, si mrekulli, si mesazh që u jepet besimtarëve nga parajsa. Detajet e ndezjes së flakës ruhen me fanatizëm.

Zjarri i Shenjtë, simbol i dritës së Krishtit dhe ringjalljes së tij pas vdekjes, përhapet më pas në të gjithë botën. Një klerik grek mori pishtarin me Zjarrin e Shenjtë e u ngjit në një avion privat të Patriarkanës Ortodokse greke për t’ia çuar flakën besimtarëve në Greqi e Qipro.

Të tjerë përfaqësues të kishës u nisën me pishtarët e tyre për në Rusi, Rumani dhe në përgjithësi, në ato vende të Europës Lindore ku shumica e besimtarë janë të krishterë ortodoksë. Dy pishtarë u dërguan edhe në qytetet e Betlehemit dhe Ramallah. Rituali i Zjarrit të Shenjtë, i praktikuar prej të paktën 1.200 vjetësh, ka edhe doza rreziku në vetvete për shkak se kisha në shpellë, ku gjendet Varri i Shenjtë ka vetëm një dalje.

Ambulancat nuk mbërrijnë dot deri aty. Megjithatë këtë vit, ashtu si dhe shumë vite të tjera, Zjarri i Shenjtë u përhap pa asnjë incident.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA