Banesa e madhe e Hadërajve e vendosur në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës është përfshirë nga flakët gjatë natës së Pashkëve ortodokse.
Objekti monument kulture i kategorisë së parë ishte i pabanuar për momentin, ndërsa banorët e fudit e kanë lënë këtë ngrehinë vetëm vitin e kaluar për shkak se ajo kishte rrezik të shembej.
Godina 3-katëshe, një ndër më të veçantat për stilin e ndërtimit, ku prezantoheshin të gjithë elementët e një banese të tipit kullë ishte lënë në harresë prej vitesh, ndërsa pritej që të hynte së shpejti në listën e objekteve që do të restauroheshin.
Nga hetimet paraprake thuhet se shkaku i rënies së zjarrit mund të ketë qenë një shkendijë elektrike nga rrjeti tejet i amortizuar, por nuk përjashtohet edhe mundësia që një shkëndijë nga fishekzjarret e festës së Pashkëve të ketë ndezur zjarrin.
Zjarrfikësve u janë dashur disa orë për të vënë flakët nën kontroll dhe për të shpëtuar banesat përreth. Specialistët e monumenteve mendojnë se dëmi që ka pësuar banesa prej zjarrit është tërësor dhe i parikthyeshëm.
Top Channel