Afganistan, sulm i koordinuar ndaj ambasadave

15/04/2012 13:10

Militantët islamikë janë duke ndërmarrë një sulm të koordinuar mbi kryeqytet dhe mbi objektiva të tjerë në Afganistan.

Një zëdhënës i talebanëve informoi se luftërarët janë duke sulmuar ambasadat në enklavën diplomatike, shtabin e përgjithshëm të NATO-s dhe godinën e parlamentit në perëndim të Kabulit.

Shpërthime të forta dhe të shumta janë dëgjuar që prej orëve të para në kryeqytet. Gjithashtu, sulme janë duke u ndërmarrë në krahinat e Logar e Paktikës, ndërsa një atentat vetvrasës ka ndodhur në Jalalabad.

NATO pranoi se ka patur raportime për shtatë sulme në Kabul.

Është konfirmuar gjithashtu lëshimi i një granate brenda një banese të përdorur nga diplomatë anglezë, ndërsa dy predha antitanku kanë goditur një kullë roje në ambasadën britanike, por pa shkaktuar dëme.

Sipas Agence France-Presse, godina e sapopërfunduar e “Kabul Star Hotel” është përfshirë nga flakë, ndërsa në ambasadën amerikane, janë dhënë sirenat e alarmit e stafit është zhvendosur në pozicione të sigurta.

Në muajt e fundit, talebanët kanë treguar se janë në forcim të vazhdueshëm, ndërsa ekzistojnë dyshime serioze mbi mundësinë e forcave vendase për të mbajtur në këmbë qeverinë diplomatike, pas tërheqjes së NATO-s në 2014-n.

Afganistan, vritet një ushtar i ISAF

Një ushtar i forcave paqeruajtëse ka humbur jetën të dielën në Afganistanin e lindjes.

Viktima e parë, pas sulmeve të koordinuara, është një ushtar i ISAF-it (që vepron nën komandën e NATO-s). Këtë e bëri të ditur vetë komanda  e ISAF në Kabul, pa precizuar nëse viktima kishte lidhje me sulmet e së dielës në Afganistan.  

Në një komunikatë të shkurtër theksohet vetëm që vdekja është shkaktuar nga shpërthimi i një bombe elementare.  
 

Top Channel