Dy ditë pasi kryeministri Papadhimos ka shpallur datën e Zgjedhjeve Parlamentare, kreditorët e Greqisë kanë filluar të shprehin shqetësimet e tyre për situatën paszgjedhore të paparashikueshme në vend.

Dy partitë kryesore, PASOK dhe Demokracia e Re, që mbështesin programin e huasë dhe kanë premtuar zbatimin reformave shtrënguese, në shumicën e sondazheve nuk përqëndrojnë me shumë se 33% të votave.

Kreditorët në Bruksel dhe Uashington vlerësojnë se nga zgjedhjet e 6 Majit, mund të pritet një votë proteste ndaj masave të dhimbshme, prandaj për herë të dytë brenda disa ditëve, kreu i FMN Christine Lagard, ka shfaqur preferencën personale për rezultatin e zgjedhjeve, duke theksuar nevojën për një bashkëqeverisje në Greqi, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

Christine Legard, Kreu i FMN-së:

“Një koalicion i partive politike mund të forcojë dhe të bëhet udhëheqës në ushtrimin e vështirë që duhet të përballet vendi. Kjo është gjithashtu një dicka pozitive. Dhe duhet të them se kam bashkëpunuar me z.Papadhimos i cili gjendet në këtë kontekts punë dhe për këtë vlerësoj përpjekjet e tij”.

Zgjedhjet janë një cast në të cilin partitë përgjegjëse duhet të tregohen tepër gjeniale dhe të thonë të vërtetën tek populli. Të gjejë mbështetje dikush tek partitë populiste nuk do të ishte zgjedhje e mencur nga ana e popullit grek, ka theksuar Lagard.

Në fakt sipas sondazhit më të fundit për gazetën “Real Neës”, 65,7% e grekëve kërkojnë qeveri të bashkëpunimit, duke cilësuar kryesocialistin Venizellos më të përshtatshëm për kryeministër.

Megjithëse konservatorët udhëheqin me 20,5%, lideri i tyre Samaras, ka deklaruar se nuk do të bashkëpunojë me socialistët që mbledhin vetëm 12.7% të votave dhe nëse nuk fiton shumicën në parlament, do të shkojë në zgjedhje të reja, një deklaratë që ka rritur frikën për destabilizim politik në Greqi dhe përbën sipas kreditorëve kërcënim për moszbatim të reformave dhe risk për një falimentim total.

Nga ana tjetër nëse partitë e tjera që kundërshtojnë marrëveshjen e huasë do të fitojnë shumicën e votave në parlament edhe ky fakt sipas ekspertëve të troikës do të përbënte rrezik për ekonominë e Eurozonës dhe atë botërore.

Top Channel