Pashkët, fluks emigrantësh në kufi

14/04/2012 20:00

Rreth 45 mijë shtetas shqiptarë kanë hyrë në Shqipëri vetëm prej pikëkalimit kufitar të Kakavijes gjatë kësaj jave në vigjilje të Pashkëve ortodokse.

Autoritetet e policisë kufitare thonë se numri  ka qenë 20 përqind më i lartë krahasuar me një vit më parë, ndërsa këtë vit nuk janë shënuar radhë për shkak edhe të fluksit të shpërndarë.

Gjatë natës së të premtës fluksi ka kulmuar me rreth 7500 shtetas në hyrje dhe emigrantët thonë se kanë pritur 3-4 orë deri në përpunimin e dokumentacionit.

Ndërkaq policia e qarkullimit rrugor ka ngritur më shumë se 10 postblloqe në të gjithë territorin e qarkut përgjatë akseve që lidhen me pikëkalimet kufitare për të normalizuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.

Pritet që rikthimi i emigrantëve të fillojë nga dita e hënë e lidhur kjo edhe me rifillimin e punës në shtetin grek.

Pashkët, Presidenti Topi uron besimtarët

Presidenti i republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar Kryepeshkopit Janullatos uroi atë dhe të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë për festën e Pashkëve.

“Dita e Pashkëve është ditë e shenjtë e ringjalljes së Krishtit, ditë e ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe e ripërtëritjes së besimit tek Zoti! Nëpërmjet kësaj simbolike të mrekullueshme fetare të ringjalljes së jetës, në këtë vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë e për gjithë shqiptarët të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, përfitoj nga rasti të uroj më shumë fat dhe begati për popullin shqiptar!”, thotë Presidenti Topi në urimin e tij.
 
Le të shërbejë kjo ditë për të reflektuar e përmirësuar vetveten, vijon letra, por dhe për të evidentuar më shumë vlerat e mëdha të bashkëjetesës fetare e shpirtërore të shqiptarëve!

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA