Përfaqësues ilegalë serbë të komunës së Mitrovicës dyshohen se kanë organizuar sulmin ndaj pikës statike të policisë kosovare, disa ditë më parë, në afërsi të lagjes “Tre Rrokaqiejtë”.

Lajmin e bën të ditur “RTK”, që duke cituar burime të besueshme nga veriu thotë se sulmi është kryer nga tre serbët Stevo Paviçeviç, Jovica Lazareviç dhe Slavoljub Joviç, ndërkohë që arkitekti i tij ka qenë nënkryetari i komunës paralele, Momo Kasaleviç.

Ky i fundit, sipas burimit mediatik, është zëvendësi i Krestimir Pantiç, i ashtuquajturi kryetari i komunës paralele të Mitrovicës.

Vetë Pantiç e ka përgënjeshtruar një gjë të tillë duke deklaruar se, lajme të tilla kanë si synim denigrimin e organeve “legjitime” në veri të Kosovës.

Pika statike e policisë kosovare u vendos ditën e hënë pas atentatit me eksploziv të fundjavës së kaluar që i mori jetën kosovarit Selver Haradinajt dhe plagosi anëtarët e familjes së tij.

Me të marrë vesh për vendosjen e saj, banorët serbë vërshuan në vendin pranë lagjes “Tre Rrokaqiejtë” dhe duke përfituar nga numri i ulët i policëve shkatërruan konteinerin që shërbente si zyrë.

Mitrovicë, shqiptarët heqin barrikadën serbe

Ndërsa ditën e premte ishte radha e banorëve shqiptarë të fshatrave në veri të Mitrovicës, të cilët, të mbetur të izoluar nga barrikadat serbe, u organizuan e ndërmorën nisma personale për lirimin e rrugëve.

Pak orë pas zërave të Prishtinës zyrtare se, mund të ketë ndonjë ndërhyrje të njësisë speciale si në operacionin e 25 korrikut, serbët me anë të barrikadave kishin bllokuar rrugët e zonës.
 
Mungesa e dorës së shtetit të Kosovës për shqiptarët bëri që, banorët e fshatrave Ceraj, Bistricë, Koshtovë e Vllahi të merrin vetë situatën nën kontroll.

Mbase e pabesueshme, por fshatarët hoqën barrikadën me të cilën serbët u kishin bllokuar rrugën. Spektatorët e ngjarjes ishin paqruajtësit e KFOR-it, ata që normalisht do të duhej të kryenin këtë punë.

Mitrovicë, protestë kundër EULEX-it

Më herët gjatë së premtes të rinjtë shqiptarë protestuan për gjysmë ore para selisë së EULEX-it në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie ndaj punës së këtij misioni.

Ata protestuan me pankarta me mbishkrime shqip e anglisht si “Turp” dhe “Po përkëdhelni kriminelët në veri”.

Musa Damati, kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal, tha se EULEX-i me sjellje të njëanshme është duke provokuar haptazi durimin dhe maturinë e qytetarëve të Mitrovicës.

“Ndërsa në veriun e Mitrovicës arrestojnë dhe vrasin policët tanë, rrahin dhe vrasin bashkëqytetarët tanë, misioni i EULEX-it njësitet e veta i aktivizon vetëm atëherë kur është e nevojshme arrestimi dhe burgosja e ish-ushtarëve të UÇK-së”, deklaroi Damati.

“Në qoftë se EULEX-i vazhdon të sillet në këtë formë të njëanshme, atëherë të rinjtë e qytetit të Mitrovicës do të organizohen në mënyrë masive dhe do të radikalizojnë format e ushtrimit të presionit publik mbi këtë mision”, theksoi ai.

Top Channel