Pas spekulimeve të disa mediave maqedonase se autori i vrasjes së
pesëfishtë është shqiptar dhe në mungesë të infromacioneve zyrtare nga
policia për identitetin e autorëve, banorët maqedonas të fshatrave, prej
ku janë viktimat në shenjë revolte kanë bllokuar rrugën që lidh Shkupin
me fshatin Lubotenin, të banuar me shqiptarë.

Shumë banorë të këtij fshati që është rreth 10 kilometra nga kryeqyteti, natën e kanë kaluar në Shkup pasi nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Ka raste ku gjysma familjarëve janë në fshat e gjysma në qytet, dikush nuk mund të shkojë në punë dhe dikush nuk ka mundur nga puna të kthehet në shtëpi. Mbrëmë rreth orës 22 e 30 kam tentuar personalisht të shkoj në fshat, mirëpo policia në rrugë më ka ndaluar dhe më ka thënë se rruga është e bllokuar ose ata nuk marrin përgjegjësi për sigurinë time nëse une vendos të shkoj në fshat. Sipas atyre në rrugë maqedonasit kanë hedhur zhavorr, tulla dhe mjete të forta të ndryshme ndërsa shumica e fshatarëve kanë ngelur në qytet tek farefisi i tyre”, thotë Bekri Ajdini, banor i fshatit Luboten.

Informacionet që vijnë prej Luboteni, flasin për një situatë frike dhe ankthi që mbizotëron tek banorët, pasi ata ende i kanë të freskëta plagët e vitit 2001 kur forcat policore maqedonase kishin masakruar 10 civilë shqiptarë të Lubotenit.

“Dëshiroj të apeloj tek të gjithë pushtetarët që të ndalojnë cdo incident të mudnëshëm, të mundësojnë zhbllokimin e rrugës sepse i gjithë fshati me mbi 2800 banorë është i bllokuar. Luboteni është në një zonë ku është i rrethuar nga fshatrat maqedonas dhe fshati ka mbetur i bllokuar nga dita e premte”, thotë Ajdini.

Në Luboten nuk kanë mundur të depërtojnë as ekipet televizive. Komunikimi me banorët e këtij fshati ka qenë i mundëshëm vetëm përmes telefonit. Ata shpresojnë që pas varrimit të pesë të vrarëve maqedonas rruga do të zhbllokohet, megjithatë thonë se lëvizja do të jetë e rrezikshme.

MPJ: Të shmanget çdo lloj keqinterpretimi

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Smilkoviç të Shkupit, ku në rrethana ende të paqarta janë vrarë pesë persona.

MPJ u shpreh ngushëllimet e saj familjarëve të viktimave dhe inkurajon autoritetet shtetërore që të hetojnë plotësisht këtë ngjarje.

MPJ vlerëson se në këtë situatë është e nevojshme ruajtja e qetësisë dhe shmangia e çdo lloj keqinterpretimi që pengon zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike.

Top Channel