Gjashtë fuqitë botërore dhe Irani po takohen në Stamboll në kuadër të bisedimeve që synojnë dhënien fund të ngërçit mbi programin bërthamor të Teheranit.
Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Kina, Rusia dhe Gjermania shpresojnë se bisedimet do të frenojnë rritjen e tensioneve në rajon.
Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, por kritikët dyshojnë se regjimi po përpiqet të ndërtojë armë bërthamore.
Izraeli ka paralajmëruar në muajt e fundit se mund të kryejë një sulm ajror ndaj impianteve bërthamore të Iranit për ta parandaluar këtë gjë.
Bisedimet janë të parat që po mbahen mes Iranit dhe fuqive më të mëdha botërore në 15 muajt e fundit.
Ditën e enjte presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad deklaroi se vendi i tij po i përmbahej të drejtave themelore nën një presion të ashpër dhe shtoi se ai kurrë nuk do të tërhiqet nga “të drejtat e pamohueshme” të tij.
Zhvillime të tjera pritet të regjistrohen në Stamboll, por gjashtë vendet, të njohur si grupimi “5+1”, shpresojnë se negociatat do të ulin tensionet.
Përfaqësuesit e tyre i kanë bërë thirrje më herët Teheranit që të angazhohet seriozisht në këtë proçes, me presidentin Obama që e ka cilësuar atë si “shansin e fundit” për funksionimin e diplomacisë.
Top Channel