Pas vrasjes së pesëfishtë në Shkup, policia maqedonase thotë se e ka nën kontroll situatën e sigurisë në vend. Kryeshefja e policies, Gordana Jankullovska bëri thirrje që ky rast të mos paraqitet si incident ndëretnik pasi hetimet e deritanishme nuk kanë vërtetuar një gjë të tillë.

“Nga të gjitha informacionet që kemi deri tani, nuk mund të konstatohet as përkatësia etnike dhe as identiteti i kryerësve të veprës. Prandaj unë dua të apeloj për përmbajtje nga spekulimet rreth përkatësisë etnike gjë që mund të tensionojë raportet ndëretnike, pasi deri në këtë moment ne nuk kemi të dhëna për përkatësinë etnike të kryerësve të veprës ose për motivet për kryerjen e kësaj vrasje të pesëfishtë”, deklaroi Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Numri një i Ministrisë së Brendshme, tha se policia është duke punuar në mënyrë intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa bëri të ditur se është zgjeruar lista e personave të cilët janë marrë në pyetje nga policia. Ajo sqaroi se rezultatet e autopsisë, konfirmojnë se ndaj viktimave është qëlluar nga tre armë zjarri të llojeve të ndryshme dhe nga më shumë persona. Kryeshefja e policisë, nuk përjashtoi mundësinë që autorët e vrasjes të jenë shtetas të huaj.

“Jemi duke i shqyrtuar të gjitha opsionet, por publikimi i shumë informatave mund t’u shërbej autorëve të veprës. Dua t’u bëj me dije qytetarëve se po marrim të gjitha masat  për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, ndërsa porosis autorët e veprës se nuk do të mund t’i ikin drejtësisë”, tha Jankullovska.

Ndërkohë, të shtunën iu dha lamtumira e fundit pesë maqedonasve të cilët u gjetën të vrarë mbrëmjen e së enjtes pranë liqenit të Hekuranës në periferi të Shkupit.

Top Channel