“Bërthamoret”, Irani në tryezë me Perëndimin

14/04/2012 00:00

Pas 15 muajsh bllokimi, Irani ulet në një tryezë me gjashtë fuqitë botërore në Stamboll për të diskutuar mbi programin e tij bërthamor.

Të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Kinës, Rusisë plus Gjermaninë, shpresojnë që përmes këtij procesi të pengojnë shtimin e tensioneve rajonale.

Në përballjen e akuzave të ndërsjellta për programin bërthamor, Teherani mbrohet duke thënë se ai është për qëllime paqësore, por për Perëndimin synimi është arma bërthamore. Muajt e fundit, Izraeli ka lënë të kuptohet se do të ndërmarrë një ofensivë ushtarake, për ta penguar Iranin t’i çoj më tej planet e tij.

5+1, pesë fuqitë e mëdha, plus Gjermaninë, shpresojnë të bindin Iranin të pakësojë pasurimin e uraniumit dhe të hapë të gjithë impiantet bërthamore për inspektorët e Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Presidenti amerikan, Barack Obama e cilësoi këtë “mundësinë e fundit” për diplomacinë, ndërsa Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton tha se Teherani duhet të dëshmojë se ka braktisur të gjitha ambicjet për armën bërthamore.

Burime pranë delegacionit iranian, të cituara nga “France Press” thanë se propozimet e Perëndimit janë zhgënjyese. Michael Man, zëdhënësi i shefes së Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në Bashkimin Europian, Catherin Ashton tha se bisedimet nisën në një atmosferë pozitive, duke shtuar se ekziston dëshira për të shënuar progres të qënësishëm.

Analistët dhe ekspertët janë të mendimit se palët në tryezë nuk presin propozime të detajuara. Fuqitë perëndimore kërkojnë të shohin nëse Irani është i gatshëm të përfshihet seriozisht në bisedime dhe nëse po, atëherë do të ketë një raund tjetër pas katër apo gjashtë javësh.

Ndërkohë, disa iranianë i shohin negociatat si një shenjë pozitive, por ka dhe të tjerë që thonë se energjia atomike është një e drejtë legjitime.

Top Channel