Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka shkruar një letër ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së, të cilët u ka kërkuar ndihmë pas akteve kriminale të kryera në veri nga strukturat serbe.

Fillimisht, në letrën e tij Kurti ka denoncuar ministrin e Brendshëm serb, Ivica Daçiç se ka pranuar personalisht se arrestimet e kosovarëve janë bërë në shenjë hakmarrjeje ndaj arrestimit të serbëve në Kosovë.

“Është e qartë se motivet janë thjesht politike dhe se arrestimet janë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, shprehet Kurti, duke iu bërë thirrje ministrave për të ushtruar ndikimin e tyre për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë shqiptarëve të arrestuar nga Serbia gjatë muajit të kaluar.

Sa për situatën e sigurisë, Kurti ka vlerësuar se ajo është përkeqësuar ndjeshëm dhe përbën një rrezik serioz për shqiptarët e pambrojtur që banojnë në veri të Kosovës.

“Të shtunën pas mesnatës, në zonën e Tre Rrokaqiejve, Selver Haradinaj u vra në një sulm terrorist me bombë në shtëpinë e tij, e cila gjithashtu plagosi gruan dhe katër fëmijët e tij. Të hënën më 9 prill, një pikë statike e policisë u shkatërrua nga pjesëtarët e strukturave ilegale të Serbisë. Pavarësisht nga situata shumë e rëndë, ka pak dëshmi të presionit ndërkombëtar mbi Beogradin për lirimin e të arrestuarve në mënyrë arbitrare”, ka vlerësuar Kurti.

“Nuk ka asnjë veprim në Kosovë nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë, si KFOR-i, për të mbrojtur shqiptarët e pambrojtur që jetojnë në veri të Mitrovicës”, është shprehur ai.

Sipas tij, shpërblimi për Serbinë me statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pa e detyruar që ajo të ndryshojë qëndrimin e saj apo sjelljen ndaj Kosovës, e ka inkurajuar qeverinë në Beograd që të vijojë fushatën e saj destruktive dhe kriminale ndaj Kosovës.

“Unë sinqerisht shpresoj se ju do të veproni për të kundërshtuar këtë padrejtësi dhe do të mbështesni bashkatdhetarët tanë në këtë çështje që cënon rëndë të drejtat dhe liritë e qytetarëve tanë”, ka shkruar më tej Kurti.

Disa ditë më parë Kurti i dërgoi një letër NATO-s, duke kërkuar që trupat e KFOR-it të vendosen në veri për të parandaluar incidentet që mund të pasojnë vrasjen e Selver Haradinajt.

Gjithashtu, Kurti kërkoi nga presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, që të ndërmerrte një nismë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në NATO për diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë.

Top Channel