Ekonomia e Kinës, e dyta më e madhe në botë, ngadalësoi hapin e rritjes ekonomike në 8,1% në tremujorin e saj të parë, shifra më e ulët në pothuajse tre vjet.
Sipas parashikimeve, pritej një tkurrje në 8,3%, por të dhënat flasin për një rritje lehtësisht më të ulët.
Besohet se ekonomia kineze është dëmtuar nga rënia e fuqisë blerëse të dy tregjeve të tjerë më të mëdhenj në botë, ai amerikan dhe europian.
Të dhënat zyrtare u publikuan 24 orë pasi Banka Botërore parashikoi një ngadalësim të vazhdueshëm gjatë të gjithë 2012-s për Kinën.
”Ngadalësimi gradual i ekonomisë kineze pritet të vazhdojë në 2012-n, si rrjedhojë e rënies së investimeve, fuqisë së dobët blerëse nga jashtë dhe uljes së konsumit të brendshëm”, shkruhej në raportin e BB-së.
Një ndikim në këtë situatë ekonomike ka edhe rënia graduale e eksporteve, ndikuar edhe nga politikat e autoriteteve për të mbajtur nën kontroll inflacionin, pas rekordit prej 6,5% të korrikut të një viti më parë.
Një inflacion më i ulët ndikon për të mbajtur çmime më të qëndrueshme brenda vendit, duke përmirësuar standartin e jetesës, por nuk është i favorshëm për eksportet kineze, që përfitojnë nga monedha e dobët.
Megjithatë, ndërsa vendet e tjera janë duke u përpjekur të shmangin recesionin, ekonomia kineze me ngadalësim vazhdon kuptojë një rritje prej 7-8%, e cila nëse do të jetë stabël në vitet në vazhdim, mund të rendisë ekonominë e vendit më të populluar në botë në vendin e parë rreth vitit 2025.
Top Channel