Gjermani, në kërkim të vrasësit racist

13/04/2012 19:10

Prokuroria e Berlinit ka ofruar 15 mijë euro për këdo që do të japë informacione të dobishme për kapjen e një vrasësi që dyshohet se ka vepruar për motive raciste.

Javën e kaluar, në kryeqytetin gjerman, vrasësi qëlloi me armë zjarri ndaj një grupi prej 5 të rinjsh me origjinë turke, duke vrarë një 22-vjeçar dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë, 16 dhe 17 vjeç.

Ngjarja ndodhi rreth orës 1 të natës së 4 prillit në afërsi të një spitali në lagjen multietnike Neukoeln për motive ende të panjohura. Në vitet e fundit në Gjermani janë verifikuar disa atentate me sfond racist, sidomos ndaj komuniteteve me etni islamike.

Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e larjes së hesapeve mes organizatave kriminale turke, që dominojnë një pjesë dërrmuese të botës së krimit në Gjermani.

Top Channel