Danimarkë, në gjyq atentatorët islamikë

13/04/2012 18:45

Katër persona janë shfaqur në gjyq në Danimarkë pasi akuzohen se kishin planifikuar një sulm të armatosur ndaj një gazete daneze që publikoi karikaturat me profetin Muhamed.

Prokurorët thanë se personat kishin planifikuar të hapnin zjarr ndaj zyrave të “Jyllands-Posten” ditën kur princi Frederik kishte në plan të vizitonte ndërtesën.

Të katërt ata synonin të shkaktonin humbje të mëdha në njerëz, por princi nuk ishte objektiv i tyre, kanë thënë ndër të tjera prokurorët. Nga ana e tyre, të pandehurit i kanë mohuar akuzat për terrorizëm dhe armëmbajtje pa leje.

“Jyllands-Posten” publikoi karikaturat mbi figurën e shenjtë islamike në vitin 2005, duke shkaktuar protesta të komuniteteve myslimane në mbarë Evropën.

Tre shtetas suedezë dhe një tunizian u burgosën në dhjetor të vitit 2010 në Danimarkë dhe Suedi. Munir Awad, Omar Abdallah Aoelazm dhe Munir Ben Mohamed Dhahri, një shtetas tunizian, u arrestuan nga policia më 29 dhjetor të dy viteve më parë në një apartament në afërsi të kryeqytetit të Danimarkës, Kopenhagen.

Ndërsa Sabhi Ben Mohamed Zalouti u arrestua një ditë më pas pasi kishte kaluar kufirin për në Suedi dhe u ekstradua në Danimarkë.

Ata mund të përballen me nga 14 deri në 16 vjet burg nëse dënohen në proçesin që po zhvillohet në gjykatën e rajonit të Glostrupit, fare pak larg Kopenhagenit.

Top Channel