Chavez: Beteja ime ndaj kancerit po përparon

13/04/2012 08:55

Pa dhënë detaje rreth gjendjes së tij shëndetësore, presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, theksoi se beteja e tij kundër kancerit është “duke përparuar”, ndërsa u rikthye në vend pas një seance të tretë kimioterapie në Kubë.

Në mbërritjen e tij, Chavez mori pjesë në një takim politik në pallatin presidencial në Karakas, për të përkujtuar 10-vjetorin e një grushti të shteti, që e largoi për një periudhë të shkurtër nga pushteti.

57-vjeçari pritet të rikthehet në Kubë edhe për dy seanca të tjera trajtimi. Nuk është ende e qartë nëse ai do të ketë mundësi që të marrë pjesë në samitin e Amerikës, një takim me natyrë politico-ekonimike, që do të zhvillohet javën e ardhshme në Kolumbinë fqinje.

”Gjithçka do të varet nga gjendja e tij shëndetësore dhe ajo që do t’i këshillojnë mjekët të bëjë”, deklaroi presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, i pyetur rreth pjesëmarrjes së Chavez në këtë takim.

Në fjalimin e tij nga pallati presidencial, presidenti kujtoi se si marshimi paqësor i miliona venezuelianëve në rrugët e vendit kundër grushtit të shtetit të vitit 2002 e rikthehu në pushtet, ndërsa theksoi se mbeten më pak se gjashtë muaj “për t’u përgatitur” deri në zgjedhjet e muajit tetor.

Chavez, në pushtet që prej vitit 1999, do të kërkojë në këto zgjedhje një mandate të ri 6-vjeçar, për të thelluar programin e tij të “revolucionit social”.

Presidenti Chavez iu nënshtrua një operacioni në shkurt për të hequr një masë tumorale në ije. Kjo ishte hera e dytë që ai i kryente një ndërhyrje për të larguar nga trupi sëmundjen malinje.

Ndonëse natyra e vërtetë e tumorit dhe shkalla e përhapjes së tij mbahet sekret me fanatizëm, ekzistojnë spekulime të shumta se në të vërtetë, Chavez mund të jetë shumë më i sëmurë nga sa duket, aq sa të mos jetë në gjendje që të mbijetojë deri në zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel