Cameron: Stop sanksioneve ndaj Birmanisë

13/04/2012 18:25

Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se sanksionet ekonomike ndaj Birmanisë duhet të pezullohen, pas ndryshimeve që kanë marrë jetë në këtë vend.

Kryeministri foli pas një takimi me lideren pro-demokratike, Aung San Suu Kyi në Rangun. Zonja Suu Kyi e mirëpriti apelin e zotit Cameron dhe tha se pezullimi i sanksioneve do të forcojë nisjen e reformave.

Cameron është i pari lider perëndimor që viziton Birmaninë pas zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan së fundmi, ku partia e Suu Kyi siguroi 44 vende në Parlament.

Më herët zoti Cameron u takua me presidentin Thein Sein dhe deklaroi se qeveria ka treguar se lëvizjet drejt demokracisë tashmë janë të pakthyeshme.

Birmania është qeverisur për pothuajse gjysmëshekulli nga junta ushtarake që i zuri frymën çdo mendimi ndryshe dhe vendosi një pushtet absolut.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës vendosën sanksione. Zgjedhjet e para të përgjithshme në 20 vjet u mbajtën në 2010-ën.

Instalimi i një qeverie civile, e mbështetur gjithësesi nga ushtarakët, në mars të vitit 2011 dhe një seri reformash të kryera që atëherë, përfshirë lirimin e qindra të burgosurve politikë, ka çuar në pritjen se izolimi disadekadësh ndërkombëtar do të mbarojë.

Duke folur në një konferencë për shtyp me zonjën Suu Kyi, në shtëpinë pranë liqenit ku ajo kaloi 15 vjet në arrest shtëpie, Cameron tha se embargoja e armëve e vendosur ndaj vendit duhet të mbetet në fuqi, ndërkohë që do të hiqen të tjerat.

Top Channel