Vritet bebja sepse ishte vajzë

12/04/2012 00:00

Për të paktën një javë ajo luftoi fort për të qëndruar në jetë, por e
pati të pamundur për shkak se goditjet që kishte marrë në trup nga i ati
ishin brutale.

Bebja Neha Afreen vdiq pas një ataku kardiak në spitalin e Bangalores, në Indi, të mërkurën në mëngjes.

Nëna e vajzës tre muajshe e kishte çuar të bijën më 5 prill në mbrëmje në spital, me plagë të rënda në kokë, qafë të thyer dhe shënja djegieje në trup. Babai i saj Umar Farooq, i cili merret me lyerjen e makinave akuzohet se i ka shkaktuar dhunë deri në vdekje vajzës së tij, vetëm se në vend të saj donte të kishte djalë.

Pavarësisht se Afreen shfaqi shenja përmirësimi të martën, gjendja e saj u përkeqësua pasi ajo pësoi konvulsione.

 

 

Mjekët thonë se foshnja e kishte të pamundur që të qëndronte në jetë. Ndërkohë që në spital pritej të vinte një ekip doktorësh nga Instituti Kombëtar për Shkencat e Shëndetit Mendor, për shkak se Afreen kishte plage të rënda në kokë dhe kërkonte një kujdes të specializuar, vajza 3-muajshe nuk arriti dot të mbijetonte.

Nëna e vajzës, Reshma rrëfeu se i shoqi i saj i alkoolizuar 37-vjeçar e kishte rrahur sistematikisht që ditën e lindi vajzën. Të enjten e shkuar ai u kthye i dehur në shtëpi dhe abuzoi sërish me gruan për shkak se ajo nuk i kishte sjellë në jetë djalin e dëshiruar.

 

 

Kur Reshma ra për të fjetur, burri i saj Farooq akuzohet se i ka futur një rrobë në gojën e Afreen për t’i ndaluar të qarat dhe më pas e ka qëlluar me një objekt të fortë me majë.

Reshma u zgjua në mesnatë dhe pa që foshnja kishte konvulsione. E informoi menjëherë burrin e saj, i cili u duk i painteresuar për këtë. Kur bebja nisi të vjellë gjak Farooq iku. Me ndihmën e fqinjëve, Reshma e çoi në spital foshnjën. Ajo tregoi se Farooq e kishte keqtrajtuar edhe dy herë të tjera vajzën, por ajo si nënë kishte heshtur duke dashur që të shpëtonte martesën. Herën e parë ai e kishte rrahur fëmijën, kurse herën e dytë, Reshma kishte gjetur shenja të djegies nga cigarja në ballë dhe mbrapa kokës.

 

Reshma fillimisht kishte patur frikë të kontaktonte me policinë, por autoritetet i kërkuan asaj që të ngrinte padi ndaj të shoqit.Farooq është arrestuar dhe ndodhet në arrest deri më 21 prill, ku do t’i duhet të ballafaqohet me drejtësinë me akuzën e vrasjes. Vdekja e kësaj foshnjeje dhe rrethanat, në të cilën u zhvilluan ngjarjet kanë tronditur mbarë shoqërinë vendase dhe të huaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA