Policia turke bastisi shtëpitë e disa dhjetëra ushtarakëve të lartë në vend, në një operacion të ri kundër organizatorëve të grushtit të shtetit të vitit 1997.
Një mandat arresti u zbatua ndaj gjeneralit të dalë në pension, Cevik Bir, i cili luajti një rol të rëndësishëm në rënien e qeverisë së Necmettin Erbakanit. Shtëpitë e kontrolluara ishin të gjitha të ushtarakëve, të cilët mbanin pozicione të larta gjatë komplotit. Më parë në prill, dy gjeneralët që udhëhoqën një grusht të suksesshëm shteti në vitin 1980, nisën të procedoheshin në Ankara.
Gjenerali Bir ishte u dyti për nga hierarkia në forcat tokësore turke dhe ai me stafin e tij ishin ata që sollën rrëzimin e qeverisë islamike të Erbakanit.
Një tjetër grusht shteti i deshtuar, drejtuar një qeverie të mëparshme të Erdoganit, në të cilin janë përfshirë mbi 400 ushtarakë, është duke u trajtuar në gjykatë.
Partia e kryeministrit aktual, Recep Tayyip Erdogan, doli pikërisht nga radhët e atij formacioni islamik, të shpallur si antikushtetues nga Gjykata e Lartë e Turqisë në vitin 1998. Erbakan u dënua me pesë vjet pezullim nga politika dhe vuajti disa vite burgim.
Sipas analistëve, qeveria e Erdogan është duke u përpjekur të zvogëlojë ndjeshëm rolin tradicional që ushtria ka luajtur në jetën politike turke. Sipas mediave turke, komploti i 1997-s është shoqëruar me qindra arrestime dhe gjykime në të gjithë vendin.
Gjenerali 94-vjeçar Kenan Evren, president i Turqisë në vitet 1983-89 dhe gjenerali Tahsin Sahinkaya, 86, janë duke u gjykuar njëkohësisht në lidhje me grushtin e shtetit të viteve 1980.
Rreth 600 mijë persona u arrestuan gjatë atij puçi. Shumë prej tyre u torturuan, qindra u dënuan me vdekje për t’u falur më pas, ndërsa 50 persona të konsideruar si “tradhëtarë” u ekzekutuan me varje.
Gjyqi ndaj dy gjeneralëve nuk kishte mundur të zhvillohej më parë si pasojë e një vendimi kushtetues që i vishte ata me imunitet, por vendimi u rrëzua në vitin 2010, pas një referendumi popullor.
Gjenerali Evren, ashtu si ai Bir, kanë një rëndësi të madhe për politikën turke, pasi ai përfaqëson klasën dikur të paprekshme të ushtarakëve. Turqia ka përjetuar katër grushte ushtarake shteti në historinë e saj moderne, në vitet 1960, 1971, 1980 dhe 1997.
Top Channel