Siri, hyn në fuqi armëpushimi

12/04/2012 08:00

Armëpushimi për Sirinë, i propozuar nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, ka hyrë në fuqi por vendet e Perëndimit shprehen skeptike mbi mundësinë që Siria ta përmbushë atë.

Siria ka deklaruar se do të zbatojë armëpushimin, por ruajti të drejtën për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve. Nga ana tjetër edhe grupi kryesor i rebelëve deklaroi se do t’i përgjigjet çdo sulmi të forcave qeveritare.

Deri tani nuk janë raportuar shkelje të planit, por Shtetet e Bashkuara deklaruan se e qëndrimi i Sirisë ishte “pak, në mos aspak i besueshëm”.

Zoti Annan mori garanci me shkrim nga Ministria e Jashtme siriane se trupat qeveritare do të ndalnin të gjitha luftimet në territorin sirian duke filluar nga ora 6:00 e ditës së enjte.

“Por nga ana tjetër, qeveria do të ruajë të drejtën t’i përgjigjet në proporcionin e duhur çdo sulmi të kryer nga grupet terroriste të armatosura”, deklaroi zëdhënësi, Ahmad Fawzi.

“Një orë pasi ultimatumi skadoi, situata është e qetë në të gjitha rajonet”, ka deklaruar ndërkohë Rami Abdel Rahman, kryetar i Observatorit të të Drejtave të Njeriut, me bazë në Londër.

Nëse armëpushimi do të vazhdojë të mbetet në fuqi, vëmendja do të përqendrohet tek tërheqja e trupave qeveritare, tanket dhe armatimet e rënda, hap ky që duhet të ishte ndërmarrë ditën e martë.

Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice i cilësoi angazhimet në letër si “shqetësuese” dhe shtoi se përgjegjësia për ndaljen e dhunës bie mbi regjimin sirian.

Ndërsa sekretari i Jashtëm britanik, William Hague deklaroi se, nëse do të kishte një armëpushim, Londra zyrtare do të punonte në OKB për të dërguar monitorues në Siri, për t’u siguruar se nuk do të ketë rifillim të sulmeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA