Presidenti i Malit i shpall luftë rebelëve

12/04/2012 16:10

Presidenti i ri i Malit, Dioncounda Traore, deklaroi se është i vendosur të ndërmarrë një luftë totale kundër rebelëve separatistë, që kontrollojnë pothuajse gjysmën e territorit.

Traore mori drejtimin e vendit si pjesë e një marrëveshje për të dalë nga kriza, pasi një grusht shteti rrëzoi qeverinë e ligjshme në mars. Presidenti i mëparshëm paraqiti dorëheqjen e tij, ndërsa ushtarakët pranuan që një qeveri civile të rikthehej në drejtimin e vendit të Afrikës Qëndrore.

Traoresë i është lënë 40 ditë afat për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por ka pak gjasa që ky afat të zbatohet, për shkak të situatës së rënduar në veri, ku duke përfituar nga revoltat, rebelët tuaregë dhe militanët islamikë kanë fituar territore të gjera dhe kanë konsoliduar pozitat në disa qytete kyçe.

Sipas raportimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në qytetet e Kidalit, Timbuktusë dhe Gaos apo në zona të tjera të ndodhura në veri të Malit, po realizohen vrasje, rrëmbime, përdhunime dhe plaçkitje të vazhdueshme.

”Do t’i bëj një thirrje të fundit kryengritësve që të braktisin armët dhe të rikthehet të bëjnë detyrat e tyre si qytetarë të Malit. Në rast të kundërt, ne nuk do të hezitojmë që të lëshojmë një luftë të pamëshirshme dhe të vendosur kundër tyre”, theksoi Traore.

Sipas korrespondentëve ndërkombëtarë, deklarata provokoi ovacione, ndërsa gjenerali Amadou Sanogo, i cili udhëhoqi grushtin e shtetit, shtrëngoi duart me presidentin e përkohshëm.

Megjithatë, ekzistojnë dyshime të forta rreth mundësisë së ushtrisë për të ndërmarrë një fushatë të suksesshme për rikthimin e kontrollit në të gjithë territorin e vendit, pasi ishte pikërisht paaftësia financiare dhe teknike e qeverisë së mëparshme, ajo që provokoi edhe krizën dhge marrjen në dorë të situatës nga trupat ushtarake.

Top Channel