Obama apo Romney? E përcaktojnë femrat!

12/04/2012 15:50

Presidenti Barack Obama dhe ai që duket të jetë tashmë rivali i tij i sigurtë republikan, Mitt Romney, po i japin të tjera ngjyra fushatës zgjedhore, duke e portretizuar kundërshtarin si kërcënim për progresin e ardhshëm të SHBA-ve, e duke nisur atë që mediat vendase e përshkruajnë si “beteja për gratë”.

Pak pasi rivali i tij kryesor, Rick Santorum, i hapi rrugën me tërheqjen nga gara për nominim brenda republikanëve, Romney nisi nga puna për zgjidhjen e problemit ndoshta më madhor që ka me Obamen: votueset femra, të cilat anojnë ndjeshëm në preferencat e tyre nga presidenti aktual.

Sipas sondazhit të fundit të realizuar nga “Washington Post” dhe “ABC Neës”, ish-guvernatori i Masaçusetsit është shumë pas Obamës kur vjen fjala tek preferancat e elektoratit femëror.

57% e votueseve femra të intervistuara në këtë anketim mbështesin Obamen dhe vetëm 38% preferojnë Romney-n. Sa për raportin tek meshkujt, ai eshte krejt ndryshe. 52% janë të gatshëm të votojnë republikanin, ndërsa pro presidentit aktual shprehen 44%.

Si rrjedhojë, është e domosdoshme për kandidatin republikan që të përpiqet të fitojë pikë mes grave. Të mërkurën, ai u hodh në sulm me kundërpërgjigjen ndaj kritikave demokrate se republikanet po i vënë gratë në pozicion të veshtire me politikat konservatore që përfshijnë abortin, kujdesin shëndetësor e çështje të tjera.

”Luftën e vërtetë ndaj grave e ka nisur presidenti dhe politikat e tij të dështuara ekonomike”, i kundërpërgjigj Romney. “Obama nuk e nisi këtë recesion, por ama e thelloi më shumë. Për shkak se kriza ekonomike zgjati për shumë kohë, numri i njerëzve që humben vendet e punës u rrit ndjeshëm dhe 92,3% e tyre ishin gra”.

Një shifër e tillë u përgenjeshtrua menjëherë nga uebsajti asnjëanës “Politifact.com”, i cili ndonëse pranon se shumica e personave që humbën vendin e punës ishin gratë, fenomeni nuk ishte i përhapur në një përqeindje aq të lartë sa ajo që reflektojnë republikanët.

Përpos kësaj, e njëjta faqe interneti sqaron se të tilla statistika reflektojnë më së shumti një model historik recesionesh, kur papunësia godet fillimisht industritë e dominuara nga meshkujt, siç është ndërtimi, e më vone prek edhe fushat, ku përqindja e punonjëseve femra është me e madhe.

Top Channel