Meksikë, vriten 8 shoferë taksie

12/04/2012 10:45

Tetë shoferë taksie janë qëlluar për vdekje në rrethinat e qytetit verior të Monterreit, në Meksikë. Shoferët u vranë në sulme të ndryshme në të njëjtën zonë periferike të Guadalupes.

Burime policore deklaruan se shoferët punonin pa pasur leje. Të paktën dy kalimtarë të rastit mbetën të plagosur gjatë sulmeve, mes të cilëve një vajzë.

Qyteti industrial i Monterreit në vitet e fundit është prekur nga vala e luftës për kontrollin e drogës. Lagjet e tij janë kthyer në fusha beteje mes karteleve rivale, Los Zetas dhe atij të Gjirit, që kërkojnë të zaptojnë rrugët e kalimit të narkotikëve në SHBA.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se shoferët e taksive në Meksikë janë shënjestruar nga grupet kriminale pasi kanë refuzuar të paguajnë gjobën, ose sepse dyshohen se punojnë për kartele rivale.

Një zyrtar i shtetit Nuevo Leon, Jorge Domene Zambrano tha për agjencinë e lajmeve “AP” se policia po heton edhe një ish-shofer që kërcënoi kolegët e tij pasi u përzu nën dyshimin e shitjes së drogës.

Vitin e kaluar, 52 persona humbën jetën në një sulm me zjarrvënie në kazinonë e Monterreit, ndër aktet kriminale më të rënda që iu atribua kartelit famëkeq Los Zetas.

Ndërsa muajin e kaluar, persona të armatosur në perëndim të vendit latin vranë 12 agjentë policie që ishin duke hetuar vrasjen e 10 personave të tjerë, të ekzekutuar në stil mafioz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA