Indi, burg përjetë 18 vrasësve fetarë

12/04/2012 09:40

Një gjykatë në Indi ka dënuar 18 persona me burgim të përjetshëm për vrasjen e një grupi myslimanësh në një protestë fetare të ndodhur 10 vjet më parë në Gujarat.

Pesë të tjerë u dënuan me nga shtatë vjet burg, ndërsa njëri me 23. Grupi u shpall fajtor për djegien për vdekje të 23 myslimanëve në një shtëpi ku ata ishin strehuar nga turmat protestuese në fshatin Ode.

Mbi 1 mijë persona, shumica e të cilëve myslimanë, humbën jetën kur trazirat shpërthyen pasi një zjarr i rënë në një tren vrau 60 pelegrinë hindu 10 vjet më parë. Ngjarja ishte një ndër më të rëndat me karakter fetar të regjistruara ndër vite në Indi.

Myslimanët u fajësuan për rënien e zjarrit në tren dhe grupet hindu u betuan për hakmarrje dhe filluan të sulmonin lagjet dhe fshatrat në Gujarat, në një seri aktesh të rënda dhune që zgjatën tre ditë pas incidentit.

Një avokat i të dënuarve deklaroi se do ta apelonte vendimin në një gjykatë më të lartë. Rasti i referohet disa vrasjeve që ndodhën në fshatin Ode më 1 mars të vitit 2002, pak ditë pas ngjarjes në tren.

Një turmë e përbërë nga rreth 2 mijë persona depërtoi në fshat duke sulmuar shtëpitë e myslimanëve. Njërës prej shtëpive, ku ndodheshin 23 myslimanë, kryesisht gra dhe fëmijë, iu vua flaka derisa u shkrumbua tërësisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA