Kandidati për president në Francë, Francois Hollande, vendosi theksin mbi nevojën e stimulimit të rritjes, shkurtimit të borxhit dhe zvogëlimit të mundësive për evazion fiskal, në një fjalim gjatë të cilit parashtroi planin e tij ekonomik.
Hollande kritikoi ashpër qeverinë e presidentit Sarkozy se po e lë Francën në një gjendje të vështirë, si rrjedhojë e shpenzimeve të pakontrolluara, që e kanë rritur nivelin e defiçitit kombëtar në mbi 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas kandidatit socialist, i cili shihet nga sondazhet si favorit për të fituar mandatin 5-vjeçar në krye të “Elysse”, gjithashtu theksoi se është e domosdoshme që shteti të marrë nën kontroll financat dhe të luftojë kundër spekulimeve.
”Ajo që dua unë që t’i vërtetojmë vetes dhe Europës është se Franca ka në dorë të ardhmen e saj financiare”, deklaroi Hollande, gjatë një interviste televizive. “Nëse tregjet janë të shqetësuara, unë si president dua t’i siguroj se nuk do të ketë vend për asnjë spekulim”.
Sipas socialistit, nuk ka asnjë dyshim se cili është fajtor për gjendjen e rënduar të financave franceze, që i kanë kushtuar vendit vlerësimin maksimal prej AAA në agjensitë e specializuara në vlerësimin e indeksit të kreditimit.
”Është presidenti në largim ai që ka përgjegjësinë e vetme për zhytjen e vendit në borxhe. Defiçiti publik është rritur me 600 miliardë euro gjatë drejtimit të tij, kemi humbur vlerësimin prej tre A dhe kemi një defiçit tregëtar prej 70 miliardë eurosh”.
Gjithashtu, Hollande deklaroi gjatë fjalës së tij se borxhi i lartë i ka kushtuar Francës shumë në aspektin e rritjes ekonomike, e cila është frenuar si rrjedhojë e frikës së investitorëve për stabilitetin e ekonomisë së dytë më të madhe në Europë.
”E kam thënë edhe më parë dhe besoj realisht se vendosja nën kontroll i financave publike, është fillimi i duhur për të zgjidhur të gjitha problemet. Mbi të gjitha, kriza aktuale është një krizë besimi dhe është pikërisht besimi ai që do të rikthejë qeveria jonë”.
Ashtu si në vendet e tjera që përdorin monedhën e përbashkët euro, edhe ekonomia franceze është tkurrur në muajt e fundit, duke regjistruar një nivel prej vetëm 0,2% në tremujorin e fundit.
Top Channel