Putin thirrje rivalëve: Bashkohemi për Rusinë

11/04/2012 15:25

Presidenti i sapozgjedhur i Rusisë, Vladimir Putin, i kërkoi rivalëve politikë që të lënë mënjanë polemikat dhe të bashkohen për të mirën e vendit.

Në fjalimin e fundit në Parlamentin Rus si kryeministër, Putin theksoi gjithashtu se rikthimi i rritjes së popullsisë pas një rënie të vazhdueshme demografike që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik është shënja më e mirë për një të ardhme të begatë.

”Zgjedhjet presidenciale lanë një jehonë dhe emocione të shtuara pas tyre. Por, është në logjikën e demokracisë që pas përfundimit të zgjedhjeve, të gjithë të bashkohen për të përfunduar detyrën e tyre, e cila është në shërbim të të gjithë popullit që përfaqësojmë”, deklaroi Putin gjatë fjalës së tij.

Zgjedhja e Putinit për një mandat të tretë si president pasi shërbeu në krye të Kremlinit në vitet 2000-2008 u shoqërua me raportime të shumta për parregullsi dhe manipulim të zgjedhjeve.

Megjithatë, kryeministri aktual do të nisë të rikthehet si kryetar i shtetit në 7 maj, këtë herë për të qëndruar për një mandat gjashtë-vjeçar, siç ishte përcaktuar pas disa ndryshimeve kushtetuese.

”Ne kemi vetëm një Rusi, e cila është moderne, e cila po avancon në rrugën e zhvillimit dhe qëllimi për ta bërë atdheun tonë sa më të begatë duhet të bashkojë të gjithë politikanët dhe forcat politike. Është ky qëllimi i vetëm për të cilin duhet të punojmë”, theksoi 56-vjeçari.

Disa politika të suksesshme shtetërore në stimulimin e lindshmërisë kanë bërë që të ndalet kriza demografike, që e ka reduktuar popullsinë në pak mbi 140 milionë banorë.

Sipas Putin, ndërsa këto politika janë një arritje e pamohueshme e qeverisë së tij, tashmë Moska zyrtare duhet të punojë për të ngushtuar diferencën midis të varfërve dhe të pasurve, për t’i ofruar një të ardhme sa më të mirë të gjithë shtetasve të saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA