Nikoliç: Kosova është Serbi

11/04/2012 18:50

Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Tomisllav Nikoliç ka mbajtur një tubim elektoral në Mitrovicë, ku ka deklaruar se Kosova do të mbetet gjithmonë pjesë e Serbisë.

“Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Ajo nuk është e imja, nuk e kam trashëgim nga babai, nuk e kam blerë dhe nuk mund ta shes apo t’ia dhuroj dikujt. Ajo ju takon juve dhe gjithë Serbisë, secilit qytetar të saj, veç e veç”, citohet Nikoliç nga “REL”.

“Ashtu siç dëshirojnë qytetarët, ashtu dhe do të bëhet. Në Kushtetutë thuhet se ata dëshirojnë që Kosova të jetë pjesë e Serbisë dhe ajo do të jetë e tillë derisa serbi i fundit të ecë mbi tokë”, ka thënë Nikoliç.

Ndërkohë, krerët e Policisë së Kosovës kanë reaguar duke deklaruar se Nikoliç dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë bërë kërkesë për të vizituar Kosovën.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të kenë hyrë në Kosovë përmes rrugëve alternative.

Nikoliç është një nga 8 kandidatët që do garojnë për president në Serbi. Ai është diplomuar së fundmi për menaxhim dhe njihet për qëndrimet e tij radikale, ndonëse hiqet si një pro-evropian. 

Top Channel