Moskë, vritet lideri i muslimanëve rusë

11/04/2012 18:35

Një prej figurave kryesorë të muslimanëve rusë gjeti vdekjen pasi u godit me thikë në Moskë, në atë që u quajt si një sulm racist prej pakicës islamike në vendin me shumicë ortodokse.

Sipas bashkëpunëtorëve të Metin Mekhtiyev, 33-vjeçari u sulmua nga një grup prej pesë personash, ku përfshihej edhe një grua.

Mekhtiyev, me origjinë azerbajxhanase, ishte caktuar së fundmi lider i Qëndrës Kulturore Islamike në Rusi.

Grupet ekstremiste kanë ndërmarrë disa sulme të motivuara nga urrejtja fetare përgjatë viteve të fundit. Policia bëri me dije se Mekhtiyev u gjet i vdekur pranë apartamentit të tij në qendër të kryeqytetit, me plagë në fytyrë dhe qafë.

Një vrasje e tillë mund të ndikojë për të tensionuar situatën në jugun e Federatës Ruse, ku popullsia muslimane është e përqendruar. Krahina si Çeçenia, Ingushetia apo Dagestani kanë shfaqur prirjet e tyre separatiste që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Sipas të dhënave kombëtare, 63% e popullsisë ruse janë ortodoksë, 6% muslimanë dhe më pak se 1% budistë. Pjesa tjetër prej 30% ndahet midis ateistëve (12%) dhe atyre që besojnë në Zot, por jo në fe.

Top Channel