Lushnje, dy në pranga për krimin brenda familjes

11/04/2012 00:00

Policia e Lushnjes arrestoi dy shtetasit, Myslim Hamzai, 32 vjeç dhe Zabit Hamzai, 59 vjeç të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçarit Taulant Hamzai, krim që daton 4 vite më parë, në gusht të vitit 2008.

Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit “Kthesa e Grabianit” dhe sipas prokurorisë dhe hetuesve të policisë së Lushnjes, dy autorët kanë lidhje gjaku me viktimën. Myslim Hamzai është vëllai i viktimës, ndërsa Zabit Hamzai xhaxhai i tij.

Ata akuzohen për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, pasi pas ekzekutimit me sende të forta të të riut Taulant Hamzai, në përpjekje për të humbur gjurmët, kanë djegur trupin e viktimës.

Trupi i pajetë i 18-vjeçarit u gjet në vendin e quajtur “Tre Urat” në Komunën e Grabianit. Identifikimi i tij u bë disa ditë më vonë për shkak të dëmtimit të shkaktuar nga djegiet.

Top Channel