Krerët e delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan dhe Jelko Kaçin i kanë kërkuar Beogradit zyrtar lirimin e sindikalistit kosovar Hasan Abazi, i cili u arrestua më 28 mars.

Sipas raportimeve të “REL”, dy zyrtarët evropianë i kanë dërguar një letër kryeministrit serb Mirko Çvetkoviç, në të cilën kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e Abazit.

“Mbajtja në paraburgim e kryetarit të Sindikatës së punëtorëve të minierave të Kosovës përbën një shqetësim serioz në aspektin e pavarësisë së institucioneve dhe në atë të sundimit të ligjit në Serbi”, thuhet në letër.

Në bazë të informacioneve të tyre, Kukan dhe Kaçin nënvizojnë se Abazi në 48 orët e para është mbajtur ilegalisht në paraburgim dhe nuk i është lejuar të takohet as me avokatin e as me anëtarët e familjes së tij.

“Paraburgimi i Hasan Abazit është një hap në drejtimin e gabuar për Serbinë”, janë shprehur më tej Kukan dhe Kaçin, në letrën dërguar shefit të qeverisë serbe.

Shtetasi kosovar Hasan Abazi u arrestua muajin e kaluar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, si reagim i kësaj të fundit ndaj arrestimit të katër serbëve në Kosovë, të cilët po transportonin ilegalisht materiale zgjedhore.

Katër ditë më parë, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri njoftoi se po merrej personalisht me çështjen e Abazit, duke marrë si referim marrëveshjen për lëvizjen e lirë me Serbinë.

Ditën e arrestimit, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç deklaroi se Abazi ishte arrestuar në bazë të një fletë-arresti për spiunazh të lëshuar nga gjykata e qarkut në Gjilan.

Top Channel