Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka vlerësuar se ngjarjet
në veri përmbajnë reflektime etnike dhe ndikojnë ndjeshëm në raportet
mes Kosovës dhe Serbisë.

Kuçi ka deklaruar se në zona të tilla, ku përplasjet ndëretnike janë të
pranishme, misionet ndërkombëtare KFOR dhe EULEX duhet të jenë më
aktive.

“Gjendja në veri kërkon angazhimin e të gjithëve ne, në radhë të parë
të institucioneve të vendit dhe forcave politike. Pastaj, faktori
ndërkombëtar në Kosovë duhet të jetë më aktiv në veri nga ç’ka qenë
ditët e fundit”, ka deklaruar Kuçi.

Një tjetër element i domosdoshëm, sipas zëvendëskryeministrit, është
edhe presioni direkt që duhet ushtruar nga Uashingtoni dhe Brukseli
ndaj qeverisë së Beogradit, që fshihet pas këtyre ngjarjeve.

“Qeveria është e gatshme të bisedojë me serbët e Kosovës, por ajo nuk
do të bisedojë kurrë me Serbinë për çështjet e brendshme të saj”, është
shprehur Kuçi, duke shtuar se kushtetuta dhe ligji janë të
panegociueshëm.

Veriu, Jahjaga mbledh krerët e sigurisë

Pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë Selver
Haradinaj, dhe tensioneve që pasuan pas saj, presidentja Atifete
Jahjaga ka zhvilluar të mërkurën takime me zyrtarët përgjegjës për
sigurinë.

Sipas raportimeve të “RTK”, që citon këshilltarin e presidentes Arbër Vllahiu, Jahjaga i ka organizuar takimet në cilësinë e kompetencave që i jep posti i kryetares së shtetit, me qëllim koordinimin e reagimit të institucioneve kosovare.

Sipas burimit, deri tani presidentja është takuar me ministrin e Brendshëm Bajram Rexhepi, si dhe me drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj.

Ndërkohë, shtojnë burimet, më vonë ajo do të takohet me drejtues të institucioneve të tjera përgjegjëse për sigurinë, si dhe me drejtues të misioneve ndërkombëtare, EULEX dhe KFOR.

Zhbogar: “Veriu” të zgjidhet brenda Kosovës

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe përfaqësuesi special i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, i cili ka theksuar se, vrasja e Selver Haradinajt ishte tronditëse edhe për faktorin ndërkombëtar.

Megjithatë, duke folur nga Prizreni, Zhbogar u ka bërë thirrje banorëve që të tregojnë maturi dhe të ruajnë gjakftohtësinë.

“Përsa i përket çështjes së veriut, ajo duhet të zgjidhet përbrenda Kosovës, midis pushtetit vendor dhe qytetarëve që jetojnë atje”, ka nënvizuar Zhbogar.


Mitrovicë, një grup serb pas atentatit

E ashtuquajtura “Mbrojtja Civile” është organizata që fshihet pas atentatit me eksploziv në banesën e familjes Haradinaj në Mitrovicë, që i mori jetën kryefamiljarit Selver Haradinaj.

Kështu shkruante e përditshmja kosovare “Koha Ditore”, e cila në numrin e së martës citonte burime të afërta me proçesin hetimor. Sipas burimit mediatik, organizata në fjalë drejtohet nga serbët Jovica Lazareviç dhe Desimir Janiçijeviç, të cilët drejtojnë edhe strukturat paralele në veri.

Pavarësisht se nuk ka ende një rezultat konkret, shkruante gazeta, hetimet e para tregojnë për një atentat terrorist të mirëorganizuar, që do të thotë se, nëse kapen, autorët do të akuzohen për terrorizëm.

Mesnatën mes së shtunës dhe së dielës, shtetasi Selver Haradinaj humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi, që dyshohet se ishte vendosur në dritaren e banesës së tij.

Nga shpërthimi, i ndodhur në lagjen “Tre Rrokaqiejtë”, mbetën të plagosur edhe anëtarët e tjerë të familjes, bashkëshortja dhe katër fëmijët e Selver Haradinajt.

Top Channel