“Dy muajt e mi në burg si i pafajshëm”

11/04/2012 19:20

Burgu është një vend i tmerrshëm dhe pothuajse të gjithë njerëzit përpiqen të zbatojnë ligjet vetëm për t’i qëndruar larg atij. Imagjinoni që një ditë, padashur të vijnë t’iu arrestojnë dhe t’iu akuzojnë për vrasje, që ju nuk e keni bërë.

E tillë është historia që i ndodhi pak kohë më parë djalit nga Kosova, Nexhat Mulaj, i cili u akuzua për vrasjen e një argjendari, akuzë e cila ra pasi krimineli më i famshëm i vitit, Viktor Gushi pranoi se kishte kryer këtë vrasje, bashkë me vrasjen e arkëtares, Lonora Kaloçi në një bankë, disa muaj më vonë.  

Nexhati kaloi në burg 60 ditë, dy muaj në një dileme të tmerrshme, pasi nëse nuk do të ishte kapur Gushi, ai mund të ishte dënuar për të gjithë jetën e tij pas hekurave. Gjatë kohës që vuajti dënimin e pamerituar, gruaja e tij humbi një fëmijë nga stresi, ndërsa nëna pësoi dy infakte.

Tashmë, Mulaj kërkon dëmshperblimin..Ai pretendon nga Shteti Shqiptar që t’i paguajë për çdo minutë të “ferrit” që kaloi në burg për një krim që nuk e kishte bërë.

Në lidhje direkte, për emisionin e “Pasdites”, ishte vetë Nexhati ai që rrëfeu historinë e tij në një intervistë të gjatë.

Pasdite – Zoti Mulaj, si u përfshitë në këtë histori?
Nexhat Mulaj – Që në fillim dua të them se ndiej shumë keqardhje për familjet e dy viktimave, Sinanaj dhe Kaloçi, të cilave përfitoj nga kjo lidhje telefonike për t’u shprehur ngushëllimet e mia. Unë jam i befasuar dhe i tronditur shumë sepse qëndrova dy muaj në burg për faj të dikujt tjetër. U tmerrova dhe me atë që thanë mediat për mua, që kisha vrarë dikë, që kisha pranuar fajin, që kisha armë pa leje. Më njollosën si person, por edhe familjen time, një familje e respektuar, që ka dhënë babain tim si dëshmor në Luftën e Kosovës.

Pasdite – Por, si e mbani mend momentin e arrestimit? Me çfarë po merreshit në atë moment?
Mulaj – Unë kisha përfunduar punë në kompaninë time, që po lidh internetin në disa shkolla të jugut të Shqipërisë. Një mbrëmje, po kthehesha nga puna dhe me disa miq vendosëm të shkonim në një ambient për t’u relaksuar, kur dy persona vijnë dhe më kërkojnë të dalë jashtë. Më vonë mësova se ishin policë. I pyeta përse më morën, por ata më vendosën prangat dhe pasi kontrolluan shtëpinë, më çuan në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së bashku me djalin e xhajës dhe një koleg pune.

Pasdite
– Çfarë ndodhi më pas?
Mulaj – Më mbajtën në burg dhe bënë një deklaratë shtypi, ndërsa mua më thanë që do të qëndroja në qeli. Kur më thanë që jam i akuzuar për vrasje thashë “O Zot, më ruaj nga trutë që mos kaloj”. As që e mendoja diçka të tillë, sepse jam rritur vetë jetim dhe nuk e mendoj dot se si mund t’i shkaktosh një dhembje të tillë dikujt tjetër. Kam qenë punëtor në firmën që merrej me lidhjet e internetit për të mbajtur ekonomikisht familjen time dhe gjëja e fundit që mund të mendoja ishte se do të përfundoja ashtu në burg.

Pasdite – A ju dhanë shpjegime me kalimin e kohës?
Mulaj – Unë kërkova, por nuk më dhanë përgjigje. Më dukej sikur isha në një shtet të huaj sepse s’po merresha vesh me askënd përse po silleshin aq ashpër. Askush s’më thonte asgjë dhe edhe pse flasim një gjuhë, mund t’iu them që më dukej vetja sikur isha diku ku s’kishim asgjë të përbashkët.

Pasdite – Si ishin dy muajt e burgut për ju?
Mulaj – Nuk e di, dikush mund të mendojë se dy muaj janë pak, por për mua ishin si 12 vjet. Jetoja me frikën se drejtësia mund të mos zbardhej asnjëherë.

Pasdite  – Flitet për një dëshmitar që ju pa dhe ndikoi në arrestimin tuaj.
Mulaj – Unë nuk kam njohuri rreth këtij dëshmitari. E di që është diskutuar në media, por do të flasim edhe me avokatin, përpara se të vendosim.

Pasdite – Si u ndieve kur mësove për efektet që kishte shkaktuar burgosja juaj tek familja?
Mulaj – Nëna desh më vdiq. Mënyra se si ato e përjetuan dhembjen e bëri edhe më të vështirë vuajtjen e këtij burgimi. Në dy muajt në qeli, gruaja humbi edhe fëmijën tonë të parë. Mund ta vërtetojë kushdo që ishte mërzia dhe trishtimi ishin ato që e shtynë të humbte fëmijën.

Pasdite – A jeni i vendosur t’i shkoni çështjes deri në fund?
Mulaj – Po, sepse dua të dal dhe të pastroj sa më shumë imazhin dhe pafajësinë time. Për këtë duhet të përgjigjet dikush.

Pasdite – A jeni optimist për shanset që keni për të fituar këtë betejë me shtetin?
Mulaj – Unë kërkoj gjithmonë drejtësi, sepse nuk mund ta pranoj atë që u bë me mua. S’mundem të pranoj të gjithë këto njollosje.

Pasdite – Keni kërkuar ndihmë nga shteti i Kosovës për t’iu asistuar në këtë çështje?
Mulaj – Kam kërkuar nga të gjithë mbështetje, sepse kam qenë i pafajshëm. Sikur të kisha bërë krimet që rëndonin mbi mua do të kisha ulur kokën, por do të kërkoj deri në fund drejtësi, pasi ajo që më ndodhi mua nuk duhet të përsëritet më me asnjë.

Në lidhje direkte, edhe avokati i Nexhatit, Ndue Pjetri, justifikoi kërkesën e klientit të tij për një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh prej Shtetit Shqiptar. “Këtë javë e dpozituam padinë me kërkesë për dëmshpërblim 100 mijë euro. Përveç ligjit prej 50 mijë lekë në ditë për burgim të paligjshëm, ne kemi llogaritur edhe dëmin moral dhe atë që i ndodhi familjes. Këto janë të vërtetuara dhe të arshivuara në Gjykatën e Tiranës”, u shpreh Pjetri.

Në lidhje me dëshmitarin që luajti një rol kyç në burgosjen e Nexhatit, avokati mbrojtës dha këtë konsideratë: “Ne kemi bërë kërkesë për njohje të dëshmitarit dhe besoj se kjo do të pranohet. Ka disa arsye që mund ta kenë shtyrë të japë një dëshmi të rreme, midis të cilave edhe ajo e përfitimit ekonomik, pasi shteti kishte vendosur një shpërblim për të gjithë ata që ofronin informacione të vlefshme rreth vrasjes së argjendarit”.

Ndonëse një çështje ndaj shtetit mund të dërgohet menjëherë në Strasburg, Pjetri ka vendosur që të mos ta bëjë diçka të tillë, pasi shprehet se ka besim tek drejtësia shqiptare. “Gjyqi për mua është i fituar sepse asnjë gjyqtar nuk mund të hezitojë në dhënien e një vendimi normal, pasi kemi të bëjmë me fakte dhe jo hipoteza me atë që mund të ndodhte. Të vish në shqipëri për 1 mijë lekë në ditë për të mbajtur familjen dhe të përfundosh në burg është e papranueshme. Dëmshpërblimi prej 100 mijë eurosh që kërkojmë është në përpjetim të drejtë me dëmin e shkaktuar ndaj këtij personi”.

Top Channel