Algjeri, ndërron jetë “babai” i pavarësisë

11/04/2012 20:35

Presidenti i parë dhe udhëheqësi i revolucionit që i solli Algjerisë pavarësinë nga Franca, Ahmed Ben Bella, ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare në banesën e tij në Algjer.

Lajmi i dhimbshëm për të gjithë kombin u komunikua nga agjensia kombëtare e informacionit “APA”, mbrëmjen e së mërkurës. Bella kishte kohë që vuante nga një sëmundje e rëndë.

96-vjeçari u shndërrua në një simbol të rilindjes algjeriane në vitet 1950-60 dhe u emërua si president i parë i vendit në vitin 1963. Megjithatë, pas tre vitesh në pushtet, ai u rrëzua nga një grusht shteti i realizuar nga ministri i mbrojtjes së kabinetit dhe u burgos.

Pas shumë vitesh pas hekurave dhe në arrest shtëpie, ai vendosi të largohej në strehim politik në Zvicër, në vitin 1980. Bella u rikthye në Algjeri në vitin 1999, por nuk luajti kurrë më një rol të rëndësishëm politik.

96-vjeçari është konsideruar si një figurë kontradiktore në historinë e Algjerisë, pasi ndonëse u shndërrua në një idhull për bashkëkohësit në udhëheqjen e revolucionit kundër Francës, ai vendosi një regjim autoritar njëpartiak pas marrjes së pushtetit.

Vdekja e Bellas koinçidon me 50-vjetorin e pavarësisë së Algjerisë.

Top Channel