“Pharmacon” me skenar dhe regji të Joni Shanajt është prodhimi më i fundit kinematografik shqiptar, që nga data 12 prill do të shfaqet në kinematë e Tiranës.
Mbrëmjen e së martës filmi u prezantua për një rreth artistësh e miqsh.
Mungesa e komunikimit mes brezave është në qendër të filmit, por edhe problematika të shoqërisë shqiptare si ajo e mungesës së medikamenteve.
Branko, interpretuar nga Klevis Bega, punon në farmacinë e të atit, Dr Sokratit, roli i Niko Kanxherit. Mjeku në fakt e përdor farmacinë për të mbuluar punë të dyshimta në biznesin e ilaçeve.
Në një jetë të kontrolluar nga i ati, i vetmi interes për Brankon duket të jetë Sara, studentja dhe infermierja interpretuar nga Olta Gixhari. Nëna e saj është e sëmurë rëndë dhe e vetmja shpresë për shërimin e saj mbetet Dr. Sokrati, i cili përfiton nga situata duke ngacmuar seksualisht të dashurën e të birit.
Gjysma të vërtetash dalin, mungesë komunikimi i vazhdueshëm mes dy të dashuruarve, por edhe babait e të birit dhe hija e dyshimit bie mbi të gjithë.
“Pharmacon”, sipas autorëve, synon të paraqesë pikërisht mungesën e komunikimit mes brezave, në paaftësinë për t’i thënë të vërtetat hapur.
Top Channel