Testi i ri: Breivik nuk është psikopat

10/04/2012 14:55

Një ekzaminim psikiatrik i kryer ndaj vrasësit norvegjez Anders Behring Breivik e ka nxjerrë atë të shëndetshëm mendërisht për t’u përballur me gjyqin dhe më pas dënimin me burg.

Përfundimet e testit të ri kundërshtojnë ato të atij të mëparshëm, të publikuar në nëntor, që tregonte se autori i masakrës ishte i paaftë mendërisht.

Breivik do të dalë në gjyq ditën e hënë për sulmin me bombë dhe për atë me armë zjarri, ku mbetën të vrarë 77 persona.

Të dy ekzaminimet do të merren në konsideratë nga gjykata kur ajo të vendosë nëse ai duhet të dërgohet në një klinikë psikiatrike ose në burg.

Vlerësimi i dytë u aprovua nga gjykata në janar, pas një vale kritikash të shkaktuara vitin e kaluar nga raporti që tregonte se Breivik ishte “psikopat” në momentin e sulmeve dhe e diagnostikonte atë si një paranojak skizofrenik, që do të thotë se do të mbyllej në një klinikë të kujdesit mendor.

Shumë nga personat që i mbijetuan sulmit të tij me armë zjarri në ishullin Utoja deklaruan se ai ishte i shëndetshëm dhe se dënimi i vetëm për të duhet të jetë burgimi.

“Përfundimi ynë është se ai nuk ishte psikopat në momentin e atentateve terroriste dhe nuk është psikopat as tani”, deklaroi mjekja psikiatër Terje Toerrissen, që kreu testin e dytë.

Raporti i plotë është konfidencial bashkë me të mëparshmin dhe dy hartuesit e tyre do të japin në gjykatë motivet përse arritën në dy konkluzione të ndryshme.


Në Norvegji po shqyrtohet me ngut projekt/ligji
që do të mundësonte që Breivik të mbahej në një spital të ri të sigurisë së lartë nëse gjykata e shpall atë të paaftë mendërisht.

Pak ditë më parë, vetë ekstremisti sfidoi vendimin e mëparshëm të gjykatës që e konsideronte si të çmendur, duke deklaruar se i vrau 77 personat dhe i plagosi 151 të tjerët me “vetëdije dhe ndërgjegje të plotë”.

Pwrveç dyshimeve mbi shwndetin mendor, çështja e Breivik ka qenë në qendër të vëmendjes në Norvegji edhe pwr aspekte tw tjera. Muajin e kaluar shërbimet sekrete të Norvegjisë, PST, paralajmëruan për mundësinë e përsëritjes së sulmeve si ai i korrikut 2011.

Ndërsa më herët policia norvegjeze pranoi për herë të parë se mund të kishte vepruar më shpejt për të neutralizuar Anders Behring Breivik. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA