Ekspertët e sigurisë dhe analistët politike flasin se çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës për të tejkaluar dhe zgjidhur situatën në veriun e Kosovës. 

Agim Musliu, ekspert i sigurisë thotë për Top Channel se ajo që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës është që në koordinim me faktorin ndërkombëtar të organizojë aksione me intensitet të ulët në mënyrë që të kapen grupet kriminale.    
 
Agim Musliu, Ekspert i sigurisë:

“Nga spektri politik shqiptar duhet të ketë një shtytje më të madhe dhe të bëjë presion më të madh në KFOR-in, i cili ka marrë më tepër një rol politik, dhe në EULEX-in, respektivisht policinë e EULEX-it, të kryejë punët e veta për të cilat është mandatuar në Kosovë. Mund të ketë aksione të koordinuara të nivelit dhe intensitetit më të vogël, më precizë dhe më efektive në mënyrë që këta kriminelë, keqbërës, këto grupe kriminale të eleminohen dhe të vihen para gjyqësisë dhe para ligjit në mënyrë efikase”.

Ndërsa, analisti politik, Halil Matoshi, e sheh të nevojshme një dialog ndërmjet qeverisë me qytetarët serbë të asaj pjese. Por sipas tij kjo duhet të ndodhë pas rikthimit të integritetit në atë pjesë.
 
Halil Matoshi, Analist politik:

“Pa rikthimin e integritetit, normalisht në koordinim me shtetet që e kanë spozoruar lirinë e Kosovës dhe shtetin e Kosovës, me serbët nuk mund të flitet për arsye se ata thjeshtë, aktualisht, janë lojal ndaj shtetit të serb, e jo Prishtinës. Me mjete shtetërore, duhet në rend të parë të rikthehet integritetit, ligjshmëria në tërë territorin e vendit. Fundi i fundit është një e drejtë legjitime e Kosovës”.

Sipas Matoshit, Serbia ngaqe nuk mund të vijë më me tanke dhe avionë luftarakë në Kosovë, qëllimi i saj është ta mbajë Kosovën si shtet jo stabil.
 

Top Channel