Santorum braktis garën për president

10/04/2012 00:00

Kandidati për të qenë i përzgjedhuri mes republikanëve në garën për të larguar presidentin Obama nga Shtëpia e Bardhë, Rick Santorum braktis garën, duke i lënë rrugën e lirë Mitt Romney-t për t’u përballur me Obama-n në zgjedhjet e 6 nëntorit.

Ish-senatori i Pensilvanisë në një konferencë për mediat në vendlindjen e tij, Getisburgut, ku ndodhet aktualisht për t’i qendruar pranë së bijës së sëmurë, një ndër arsyet e vendimit të tij për t’u tërhequr, tha njoftoi se ai dhe stafi i tij i dha fund garës për në Shtëpinë e Bardhë, duke shprehur bindjen për fitoren republikane përballë presidentit demokrat, Barack Obama.

Pavarësisht braktisjes së garës republikane, Santorum e kishte ndoshta të pamundur mposhtjen e Mitt Romney-t, sidomos pas rezultateve të fundit në Uiskonsin dhe Merilend, ku ish-guvernatori i Masaçusets thelloi diferencën me 661 delegatë në favor kundrejt 285 të Santorum.

Sondazhet, Obama më mirë se Romney 

Presidenti amerikan Barack Obama, gjithashtu kandidat i demokratëve për
një tjetër mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë, gëzon mbështetjen e
nevojshme të amerikanëve për të mposhtur rivalin e tij republikan, që me
shumë gjasa do të jetë Mitt Romney. 

Në dy sondazhe të veçanta, i pari i organizuar nga Washington Post dhe i dyti nga televizioni amerikan ABC, janë përftuar të dhëna thuajse të njëjta; presidenti Obama që siguron 51 përqind të mbështetjes së amerikanëve ndërsa Romney 44 përqind të tyre. 5 përqind e të anketuarve janë shprehur të pavendosur.

Përplasja mes Romney-t dhe Obama-s është përqendruar në dy tema, që janë pasqyruar edhe në programet elektorale të secilës palë,  ekonomia dhe punësimi. Në këto dy çështje Obama, ashtu si edhe në planin për reduktimin e borxhit publik, humb ndjeshëm epërsinë e tij. Sipas sondazhe amerikanët shohin si më të përshtatshëm për rimëkëmbjen ekonomike, punësimin dhe reduktimin e borxhit publik planin e republikanëve.

Por pikët e humbura në fushën ekonomike, presidenti Obama i rikuperon me paketën e reformimit të sistemit shëndetësor dhe sistemit të taksave, dy sektorë ku demokratët dhe republikanët kanë kundërshti të mëdha mes tyre.

Megjithatë, sondazhet mbeten sondazhe dhe përveç marzhit të gabimit në ndryshimin e balancave në favor apo kundër njërit prej kandidatëve, do të ndikojë, sipas analistëve, edhe periudha e gjatë deri në mbajtjen e zgjedhjeve më 6 nëntor, koha e nevojshme për secilin kandidat për të rikuperuar apo humbur terren.

Top Channel