Poloni, dy vjet nga vdekja e presidentit

10/04/2012 21:45

Polonia përkujtua në 10 prill dy-vjetorin e aksidentit ajror, i cili i mori jetën presidentit Lech Kaczynski dhe 95 personave të tjerë.

Një ceremoni u realizua në varrezën ushtarake Povazki në Varshavë, ndërsa lule u vendosën edhe në vendin e aksidentit, pranë Smolenskut, në Rusinë Perëndimore.

Megjithatë, binjaku i presidentit të ndjerë dhe një lider i rëndësishëm i opozitës, Jaroslaw Kaczynski, bojkotoi për të dytin vit radhazi ceremonitë shtetërore, duke preferuar veprimtaritë private.

Sipas tij, vdekja e vëllait ishte pjesë e një komploti dhe është shprehur më parë se nuk do të marrë pjesë në asnjë ceremoni shtetërore, përsa kohë nuk do të hetohet mbi këtë vrasje.

96 pasagjerë, përfshi antarët e ekuipazhit, mbetën të vrarë kur avioni i llojit “Tupolev” u përplas me tokën në një tentativë ulje, në një mot me mjegull.

Disa politikanë të rëndësishëm të vendit, përfshi Zonja e Parë e vendit dhe drejtuesi më i lartë i ushtrisë, humbën jetën në atë udhëtim tragjik, të realizuar me rastin e përkujtimit të masakrës së Katinit, ku 20 mijë oficerë polakë u vranë nga ushtarët sovjetikë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel