Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kërkon nga Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi që të ndërmarrë nismën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në NATO diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë.

Në një letër që zoti Kurti i ka dërguar presidentit shqiptar, fillimisht pasqyrohet situata e tensionuar në veri të Mitrovicës.

“Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë. Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000. Ndihma Juaj në këto momente është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme”, shkruan Albin Kurti.

Albin Kurti ka dërguar edhe dy letra alarmuese në adresë të institutcioneve qendrore, përkatësisht Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës. Nga presidentja Atifete Jahjaga, Kurti kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Veri.

“Duke u bazuar në nenin 84, pika 22, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju mund të shpallni gjendjen e jashtëzakonshme. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe si deputet i Kuvendit, Ju sugjeroj që ta shpallni gjendjen e jashtëzakonshme në Mitrovicë. Shteti i Kosovës dhe e ardhmja e tij maten me Mitrovicën.  Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë, në bazë të nenit 84, pika 23, të Kushtetutës, Ju do t’i kryesonit mbledhjet e Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, shkruan Kurti.

Ndërkaq duke iu referuar sulmeve terroriste, sidomos vrasjes me bombë të Selver Haradinajt, Kurti kërkoi nga kryetari i Kuvendit të Kosovës të thërrasë në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin.

Kurti nuk e ka arsyetuar pushimin e stërzgjatur të  institucioneve për shkak të Pashkëve dhe ditës së Kushtetutës, duke kujtuar se shumë vrasje e masakra të forcave serbe janë kryer në ditët e fundjavës. Sipas tij njerëzit jetojnë edhe gjatë pushimeve e gjatë festave. Institucionet e Kosovës duhet të jenë përherë pranë qytetarëve e në shërbim të tyre.

Top Channel