Fatmir Kajolli, këshilltari bashkiak i PR në Fier, i arrestuar për llogari të drejtësisë italiane ishte dënuar që në vitin 2002 me 16 vjet burg dhe 160 mijë euro gjobë me akuzën e trafikut të drogës.

Ky vendim është dhënë nga Gjykata e Milanos, ndërsa një dënim me 24 vjet burg është dhënë ndaj tij nga Gjykata e Romës.

Kajolli, gjatë kësaj kohë kishte ndërtuar një biznes të tijin dhe kishte një aktivitet politik shumë të njohur në Qarkun e Fierit. Ai është këshilltar bashkiak, përfaqësues i Partisë Republikanë ndërsa në Qarkun e Fierit është angazhuar gjerësisht në fushatat elektorale për mazhorancen e djathte, por edhe për kandidatët e majtë në zgjedhjet lokale.

Bizneset e tij kanë marrë përsipër shume nga punet publike që realizohen me fondet e Bashkisë së Fierit. Ndërkohë, Kajolli përmendet si mik i disa ministrave në qeverinë aktuale.

Në Itali, ai është akuzuar për trafik droge dhe pjesmarrje në organizata kriminale të trafiqeve ilegale. Ai është shpallur në kërkim dhe pas vendimit te Gjykatës së Milanos, i ka kërkuar drejtësise europiane shfuqizimin e vendimit të gjykatave italiane me arsyetimin se avokatit të tij shqiptar nuk i ishin dhënë në dispozicion materialet e gjyqit në gjuhen shqipe.

Kërkesa për shfuqizim është bërë në Gykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në prill të vitit 2008, gjykata rrëzoi kërkesën dhe la në fuqi vendimin e gjykatave italiane.
 
Arrestimi i Kajollit është kthyer në një lajm të bujshëm për shkak të perfoljes së lidhjeve të tij me politikën dhe politikanët në Tiranë dhe nuk mungojnë aludime nga më të ndryshmet për arsyet e kapjes së tij pikërisht tani.

Pyetja që shtrohet rëndom është se përse shteti shqiptar ka arrestuar në këtë moment një të dënuar dhjetë vjet më parë, i cili as nuk fshihej dhe madje ishte edhe këshilltar bashkiak për tre mandate në Fier?

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, e argumenton arrestimin pas kaq kohe të biznesmnit me faktn se deri pak kohë më parë nuk ka patur asnjë marrëveshje ekstadimi me Italine, e cila ka hyrë në fuqi në shtator të vitit të kaluar.

”Ju e dini që ne nuk kemi ekstraduar asnjë shtetas shqiptar pa një marrëveshje ekstradimi me Italinë, e cila është nënshkruar vetëm pak kohë më parë. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, autoritetet italiane i dërguan një listë me emrat e kërkuar prokurorisë dhe është prokuroria ajo që lëshon mandatet për ekzekutimin e ndalimit, arrestimit dhe më pas hyn në proceset e ekstadimit”, deklaroi Nishani.

Ministri i Brendshem, madje ia kaloi topin prokurorisë, duke deklaruar se shumë emra të kërkuar prej Italsë ndodhen në Prokurorine Shqiptare për të cilat policia nuk ka dijeni.

”Ka një numër personash të kërkuar nga drejtësia italiane, por nuk është në dorë të Policisë së Shtetit që të kryejë arrestimet, pasi ka një listë që i është adresuar prokurorisë dhe ajo, pasi ekzaminon të gjitha materialet, i jep urdhërin policisë për të vepruar”.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, nga ana tjetër konfirmuan më parë gjatë ditës për “Top-Channel” se Kajolli ishte shpallur në kërkim nga pala italiane pas dënimit të tij me burg dhe për këtë policia shqiptare ka patur dijeni, pavarësisht se deri vjet nuk ka patur një marrëveshje ekstradimi me Italine.

Marrëveshja e ekstradimit ka hyre në fuqi në shtator te vitit të kaluar dhe nësë kjo ka qënë pengesë, siç thuhet zyrtarisht nga policia, mbetet mister se përse është pritur më shumë se shtatë muaj që ai të arrestohej.

Të gjitha këto pyetje, dyshime dhe mistere pritet të marrin përgjigje në ditët në vijim, duke nisur nga e mërkura kur Kajolli pritet të dale para gjykates në Fier, për masën e ndalimit në pritje të kërkesës dhe dokumentave të Shtetit Italian, që pritet të kerkojë esktradimin e tij për të vuajtur në burgjet italiane denimin prej gati 40 vjet burg.

Deklarata e Nishanit, reagon Prokuroria

Pas deklarateve të ministrit, Bujar Nishani reagoi Prokuroria e Përgjithshme, e cila thotë se emri i Fatmir Kajollit është në listën e personave të shumëkërkuar ndërkombëtarë, pas vendimeve gjyqësore që ka marrë drejtësia italiane për vepra penale të kryera në këtë vend.

Prokuroria e Përgjithshme përmes një deklarete sqaron edhe procedurën që ndiqet në këto raste. “Personat që janë në kërkim ndërkombëtar shpallen si të tillë nga Zyrat Kombëtare të Interpolit të cdo vendi. Zyra kombëtare e Interpolit Tiranë, e cila është pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit shqiptar, disponon për pasojë në listat e plota dhe të detajuara, të gjithë emrat e  personave në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Në bazë të kësaj praktike, vijon Prokuroria e Përgjithshme, strukturat e Policisë së Shtetit mund të konsultohen në cdo kohë me këto lista dhe mund të veprojnë me inisiativën e tyre për arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar, pasi kjo është në kompetencën e tyre të plotë.

“Në këto kushte Prokuroria Shqiptare, nuk është institucioni të cilit autoritetet e huaja i komunikojnë listën e personave në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA