Nata mes së hënës dhe të martës në veri të Mitrovicës ka kaluar e qetë
dhe pa incidente, pavarësisht tensioneve të regjistruara gjatë ditës së
djeshme.

“Nata ka qenë tërësisht e qetë. Nuk është regjistruar asnjë që ia vlen të përmendet”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti për “REL”.

Zëdhënësi ka nënvizuar se policia vazhdon të jetë e pranishme në lagjen “Tre Rrokaqiejtë”, si dhe në lagje të tjera të Mitrovicës, ku banojnë komunitete të etnive të ndryshme.

Tensionet në veri të Kosovës lindën mbrëmjen e së shtunës, ku nga një shpërthim me eksploziv në hyrjen e banesës së familjes Haradinaj mbeti i vrarë kryetari i saj, Selver Haradinaj.

Mitrovicë, serbët sulmojnë pikat e policisë

Tensionet u bënë më të pranishme gjatë paradites së të hënës, kur banorët serbë dëmtuan pikat statike të ngritura nga Policia e Kosovës, pas atentateve me eksploziv.

Korrespondentja jonë në Kosovë raportoi se, banorët shqiptarë ishin të shqetësuar për atë që kishte ndodhur dhe për shkak të rezistencës së banorëve serbë.

Qindra anëtarë të komunitetit serb, me të marrë vesh për vendosjen e pikave policore statike në zonën e Tre Rrokaqiejve, vërshuan atje duke ushtruar presion ndaj agjentëve të paktë në numër të Policisë së Kosovës.

Mitrovicë, shqiptarët bëjnë gati valixhet

Pas ngjarjeve, një ndjenjë e thellë e pasigurisë ka prekur shqiptarët të cilët jetojnë në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”. Të lodhur nga shqetësimet dhe kërcënimet e vazhdueshme, vrasja e fqinjit duket se i dha fund durimit dhe pritjes se një ditë do të bëhet më mirë.

Banorët, kryesisht gratë dhe fëmijët, janë parë me valixhe në duar duke u larguar nga shtëpitë e tyre. Në fakt shqiptarët, shumica e të cilëve jetojnë prapa dyerve të blinduara, thonë se kanë para vetes vetëm dy zgjidhje, mbrojtjen e pragut të shtëpisë ose braktisjen e saj njëherë e përgjithmonë.

Se këtu mbretëron urrejtja ndëretnike, këtë e tregojnë edhe muret e shkarravitura me mbishkrime nacionaliste, kryesisht serbe e po kështu edhe xhamat e thyer në po thuaj secilin kat të ndërtesës.

Mitrovicë, një grup serb pas atentatit

E ashtuquajtura “Mbrojtja Civile” është organizata që fshihet pas atentatit me eksploziv në banesën e familjes Haradinaj në Mitrovicë, që i mori jetën kryefamiljarit Selver Haradinaj.

Kështu shkruan e përditshmja kosovare “Koha Ditore”, e cila citon burime të afërta me proçesin hetimor. Sipas burimit mediatik, organizata në fjalë drejtohet nga serbët Jovica Lazareviç dhe Desimir Janiçijeviç, të cilët drejtojnë edhe strukturat paralele në veri.

Pavarësisht se nuk ka ende një rezultat konkret, shkruan gazeta, hetimet e para tregojnë për një atentat terrorist të mirëorganizuar, që do të thotë se, nëse kapen, autorët do të akuzohen për terrorizëm.

Mesnatën mes së shtunës dhe së dielës, shtetasi Selver Haradinaj humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi, që dyshohet se ishte vendosur në dritaren e banesës së tij.

Nga shpërthimi, i ndodhur në lagjen “Tre Rrokaqiejtë”, mbetën të plagosur edhe anëtarët e tjerë të familjes, bashkëshortja dhe katër fëmijët e Selver Haradinajt.

Ivanoviç: KFOR dhe EULEX të ndërhyjnë

Sekretari për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç reagoi duke kërkuar ndërhyrjen e KFOR-it dhe EULEX-it në veri.

Mediat serbe që citojnë Ivanoviçin, thanë se ai kërkoi nga trupat ndërkombëtare dhe misioni europian që të ndërmarrin masa për normalizimin e gjendjes në veri të Mitrovicës.

“Besoj që këta përgjegjës të sigurisë do të arrijnë të sigurojnë qetësinë për qytetarët e këtij vendi”, tha ai. Ivanoviç paralajmëroi se në veri mund të ndodhin edhe incidente të tjera, në rast se nuk merren masat e nevojshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA