Kinë, dënohen avokatët disidentë

10/04/2012 09:25

Autoritetet kineze kanë dënuar një avokate të paralizuar dhe bashkëshortin e saj, sërish pasi ata ishin mbajtur për një vit në gjendje burgimi.

Avokatja Ni Yulan është dënuar me dy vjet e 8 muaj burg, ndërsa bashkëshorti Dong Jiqin vetëm me dy vjet. Çifti është i njohur se u ka ofruar asistencë ligjore personave të cilëve qeveria u kishte sekuestruar shtëpitë.

“Ata janë dënuar për një sërë akuzash si pjesëmarrje në trazira, shkaktim të trazirave dhe shkatërrim të pronës private e publike”, ka deklaruar zëdhënësi i gjykatës.

Çifti u burgos për herë të parë prillin e kaluar kur autoritetet rrethuan një grup aktivistësh, të cilët përmes internetit kishin bërë thirrje për protesta të ngjashme si ato që përfshinë botën arabe.

Gjyqi u zhvillua në dhjetor të vitit 2011, me seancat që u mbajtën me dyer të mbyllura, duke mos lejuar praninë e gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Mbështetësit e tyre deklaruan se akuzat kishin si qëllim që t’i bënin ata të heshtnin dhe se gjyqi ishte një tjetër tregues i politikës së pamëshirshme të qeverisë kineze ndaj disidentëve.

Vajza e çiftit, Dong Xuan tha për gazetarët se gjyqi kishte qenë një proçes tërësisht anormal. “Kjo nuk është aspak e drejtë, i bëj thirrje qeverisë që të lirojë prindërit e mi”, deklaroi vajza për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Top Channel