Kinë, burg çiftit të aktivistëve

10/04/2012 00:00

Avokatja kineze me aftësi të kufizuara, Ni Ju Lan dhe bashkëshorti i saj Dong Ji Shin u dënuan me burg nga një gjykatë në Kinë, një vit pas arrestimit të tyre.

Ni u dënua me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie ndërsa bashkëshorti i saj me 2 vjet. Çifti i aktivistëve njihej në Kinë dhe jashtë saj për ndihmën ligjore që u ofronin njerëzve, shtëpitë e të cilëve sekuestroheshin nga autoritetet. Gjykata në vendimin e saj tha se ata u dënuan pasi u shpallën fajtorë për grindje, sherre publike, prishje të qetësisë si dhe për shkatërrimin e pronës private dhe asaj publike.

Gjyqi u zhvillua me dyer të mbylluara, pa praninë e medias, diplomatëve apo aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Avokates Ni Ju Lan iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit disa vite më parë, por ajo dhe bashkëshorti i saj vazhduan të këshillonin njerëzit nëpër cështje gjyqësore. Ajo përdor një karrige me rrota për të lëvizur, karrige që sipas saj, është pasojë e keqtrajtimit policor që është ushtruar ndaj çiftit që nga viti 2002.

Organizata të të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Europian shprehen shqetësimin e tyre për rastin në fjalë dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të bashkëshortëve aktivistë.

Top Channel