Një raport i ri i detajuar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Uashington hodhi dritë mbi trajtimin çnjerëzor që dhjetëra mijëra të burgosur i nënshtrohen në kampet e përqendrimit të Koresë së Veriut.
Raporti vlerësoi se mbi 150 mijë banorë në shtetin me popullsi 25 milionëshe janë të burgosur politikë. Komiteti kërkoi ngritjen e një komisioni ndërkombëtar hetimi, por diçka e tillë duket se ka pak gjasa që të ndodhë, pasi nisma të tilla kanë dështuar edhe më parë në të shkuarën.
Sipas raportit, në burgjet e shtetit komunist janë të gjithëpërhapura torturat, ekzekutimet apo abortet e detyruara.
”Një sistem i tërë i represionit politik duhet të eliminohet”, deklaroi kryetarja e komitetit, Roberta Cohen. Raporti u ndërtua nga dëshmitë e rreth 60 ish-të dënuarve dhe gardianëve, të cilët kanë arritur të arratisen në Korenë e Jugut.
Të gjithë dëshmitarët flasin për një rrjet të gjerë kampesh përqendrimi, të cilat i shërbejnë partisë në pushtet për të vendosur sistemin totalitar mbi të gjithë territorin e vendit.
Besohet se shumë të burgosur gjithashtu vdesin nga kequshqyerja apo kushtet e rënda të punës nëpër miniera, uzina dhe kooperativa.
Gjithashtu, tepër e përhapur është praktika e dënimeve pa gjyq, me dhjetëra mijëra të dënuar që vuajnë dënime prej disa dekadash, pa asnjë dënim formal në përputhje me ligjet e vendit.
Të pyetur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, funksionarët koreanoveriorë janë shprehur se nuk janë në dijeni të asnjë burgu politik apo kampi përqendrimi të ndodhur në shtetin e tyre.
Top Channel