Qeveria pritet të heqë tatimin mbi vlerën e shtuar për makineritë dhe pajisjet nga importi, të cilat blihen nga biznesi për të bërë më efektiv prodhimin ose punën e tyre.
Vendimi paraprak është marrë në mbledhjen e radhës së “task-forcës”, ku kryeministri Sali Berisha njoftoi edhe disa masa të tjera lehtësuese për biznesin, të sugjeruara prej përfaqësuesve të sipërmarrjes në tryezën e mbajtur pak ditë më parë.
“Gjykoj se biznesi, në tryezën që mbajtëm, shprehu mendime qartësisht të rëndësishme dhe të vlefshme, për të përmirësuar veprimtarinë e biznesit. Duhet të fillojmë t’i marrim propozimet me radhë, t’i shqyrtojmë një nga një, për të arritur standartet më të mira në këtë aspekt”, deklaroi kryeministri.
Heqja e TVSH-së mbi makineritë dhe pajisjet ka qenë një kërkesë e hershme nga të gjitha grupet e biznesit, si një masë që do të lehtësonte sipërmarrjen dhe nxiste investimet në ekonomi.
Sipas ligjit aktual, TVSH-ja për makineritë dhe pajisjet mund të paguhet deri në dy vjet nga data e importit të tyre, por me vendimin e lajmëruar në mbledhjen e “task-forcës”, qeveria do ta bëjë përfunimisht zero këtë taksë.
Top Channel