“Ekonomia amerikane nuk është rikuperuar ende”

10/04/2012 16:05

“Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet ende të rikuperojë statusin dhe impaktin që kishte në ekonominë botërore përpara krizës financiare të vitit 2008”, deklaroi kryetari i Rezervës Federale, Ben Bernake.

Kreu i institucioni që luan rolin e një banke qëndrore në SHBA vlerësoi se duhen ndërmarrë më shumë veprime rregulluese në mënyrë që të garantohet stabiliteti në tregjet financiare.

Megjithatë, Bernake paralajmëroi se edhe në rast se këto reforma do të realizohen, rreziku nuk do të jetë kaluar, pasi sfida të reja do të paraqiten për ekonominë.

Deklarata e kreut të Rezervës erdhi përballë presionit të shtuar nga mediat amerikane për më shumë kontroll të autoriteteve mbi tregun, për të shmangur kështu përsëritjen e krizës së kredive të këqija, që goditi veçanërisht ekonominë më të madhe në botë në vitet 2008-09.

”Edhe duke progresuar e duke e bërë sistemin tonë më pak të cënueshëm në hallkat e tij të dobëta, duhet të kemi të qartë se sistemi financiar është vazhdimisht në evolim dhe se rreziqe të paparashikuara mund të krijohen me kalimin e kohës”, vlerësoi Bernake.

Në muajin mars, Rezerva Federale udhëhoqi një testim mbi mundësinë e përballimit të një krize të re financiare midis 19 bankave më të mëdha të vendit.

Ndonëse katër prej tyre dështuan në këto testime, RF publikoi një raport në të cilin çmohej se “të gjitha bankat amerikane janë në një pozicion shumë më të fortë aktualisht, përballë një krize të re të mundshme si ajo e vitit 2008”.

Top Channel