Të paktën 15 persona mbetën të vrarë në dy sulme vetvrasëse në Afganistan, konfirmuan burime zyrtare të martën.
Ngjarja ndodhi në krahinën e Heratit, e kontrolluar nga trupat vendase që prej korrikut 2011, ndonëse nën mbikqyrjen e komandës franceze, pjesë e koalicionit të NATO-s.
Tetë civilë dhe tre policë mbetën të vdekur në vend, pasi një militant terrorist shpërtheu makinën që po drejtonte përpara një godine qeveritare, pranë një turme kalimtarësh.
Njëkohësisht, katër policë mbetën të vrarë në një sulm tjetër vetvrasës në krahinën e Helmandit. Një zëdhënës i talebanëve konfirmoi vetëm sulmin e dytë.
Prej kohësh, në një përpjekje për të dekurajuar trupat vendase që do të marrin në dorë sigurinë në Afganistan pas tërheqjes së koalicionit të NATO-s në vitin 2014, talebanët shënjestrojnë qëndrat e rekrutimit, stërvitjes së ushtarëve të rinj, komisaraitet policore dhe kazermat ushtarake.
Midis taktikave të preferuara të terroristëve të lidhur me Al-Kaedën është depërtimi në radhët e rekrutëve policorë, për të ndërmarrë më pas sulme nga brenda radhëve.
Ekspertët vlerësojnë se ngjarjet në të cilat persona midis trupave qeveritare kanë qëlluar kolegët e tyre të armëve, kanë sjellë një problem të madh psikologjik dhe mosbesimi midis ushtarëve të rinj.
Herati ishte një prej zonave ku u regjistruan protestat më të dhunshme pas disa skandaleve të njëpasnjëshme nga ana e ushtarëve amerikanë, pas publikimit të videove që tregonin djegien e Kuranit, urinimin mbi trupat e talebanëve të vdekur dhe në fund, edhe nga sulmi i çmendur i një marinsi, i cili qëlloi me breshëri dhe vrau 16 civilë të pafajshëm, shumica e të cilëve fëmijë, jashtë një baze amerikane.
Top Channel