Vlorë, kapen 4.5 kg kokainë në port

09/04/2012 18:50

Policia portuale në qytetin e Vlorës ka sekuestruar ditën e hënë një sasi droge prej 4.5 kilogramësh kokainë, e cila do të transportohej me traget drejt Italisë.

Sipas informacioneve të fundit, sasia narkotike e bllokuar rezulton tërësisht e pastër, ajo u gjet në kroskotin e një automjeti tip “Benz” me targë Fieri.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi Ermal Metaj është arrestuar nga agjentët e policisë nën akuzën e trafikun ndërkombëtar të drogës.

Konfiskimet e kokainës janë të rralla në Shqipëri, ndërkohë që dominon sekuestrimi i drogave të lehta si hashashi, që prodhohet në Lazarat dhe në fshatrat e Fushë Krujës.

Aksi Shqipëri-Itali mbetet i preferuari nga trafikantët, që janë pjesë e grupeve kriminale të mirëorganizuara dhe që bashkëpunojnë ngushtë me grupet kriminale ndërkombëtare.

Muajin e kaluar një operacion i koduar me emrin “Monkey Business” i karabinierëve italianë çoi në pranga 44 persona, mes të cilëve 10 gra, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte armë dhe drogë nga Shqipëria.

Arrestimet u kryen nga policia e Tarantos, e ndihmuar edhe nga antimafia e Leçes. Mes të arrestuarëve kishte edhe shqiptarë, por policia italiane nuk dha detaje mbi identitetin e tyre.

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve nuk ndryshon shumë nga ata të mëparshmit kur vjen fjala tek përcaktimi që i bën në vija të përgjithshme pozicionit të vendit tonë: Shqipëria vazhdon të mbetet vend tranzit i drogës për Europën Perëndimore.

Top Channel