Ukrainë, akuzë për vrasje ndaj Tymoshenko

09/04/2012 21:25

Ish-kryeministrja ukrainase Yulia Tymoshenko, në burg për abuzim me anë të detyrës, ka refuzuar akuzat e reja të bëra ndaj saj për vrasjen e një deputeti në vitin 1996.

Nga qelia, ish-kryeministrja ka reaguar duke i cilësuar akuzat për përfshirjen e saj në këtë ngjarje si “absurde” dhe të motivuara politikisht.

Në nëntorin e kaluar, zv.prokurori i përgjithshëm, Renat Kuzmin deklaroi se vrasësit që në vitin 1996 ekzekutuan deputetin dhe biznesmenin Ievgheni Sherban në aeroportin e Donetskut, ishin paguar me paratë e kompanive të kontrolluara nga Tymoshenko.

Një javë më parë, prokurori i përgjithshëm i Ukrainës urdhëroi sistemin e burgjeve dhe Ministrinë e Shëndetësisë që të merrnin masa për të garantuar mjekimin jashtë burgut të ish-kryeministres.

Lajmin e bëri të ditur agjencia ruse “Interfax”, sipas të cilës urdhëri i kryeprokurorit ishte bërë në kuadër të ligjit për trajtimin mjekësor jashtë mureve të burgjeve.

Protagonistja e Revolucionit Portokalli të vitit 2004 ndodhet në burgun e Kievit dhe vuan nga dhimbje të forta në shtyllën kurizore.

Muajin e kaluar ishte e bija e ish-kryeministres, Eugenia Tymoshenko, që përmes një apeli i kërkoi ndihmë komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se gjendja e së ëmës ishte shumë e rëndë.

“Rasti i mamasë sime nuk është vetëm politik, është një çështje jetë a vdekje. Komuniteti ndërkombëtar duhet të na ndihmojë për t’i ushtruar presion qeverisë ukrainase për respektimin e standarteve demokratike”, deklaroi Eugenia.

Top Channel